Zv.komandanti i Policisë në Dragash thotë se sërish do të kishte vepruar njëjtë, prokuroria kërkon dënimin e tij

Opoja.net Opoja.net Kronika Opoja

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Komunën e Dragashit, Eljam Seferi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi ka lejuar t’i ikë arrestimit një i kërkuar, të mërkurën, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka thënë se nuk pendohet për veprimet e bëra dhe se do të vepronte sërish njëjtë.

Seferi ka thënë se sikur të gjendej sërish në një situatë të tillë ku rrezikohej jeta e njerëzve të pafajshëm, sërish do të mundohej të negocionte para se të përdorej çfarëdo mase e rrezikshme policore ku mund te kishte viktima.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, ka thënë se nga dëgjimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar pretendimi i organit të akuzës se klienti i tij ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare për t’i mundësuar përfitim personit tjetër.

Krasniqi ka thënë se nga dëgjimi i kolegëve të të akuzuarit, të arratisurit dhe bashkëshortes së tij, me padyshim është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka vepruar në bazë të përgjegjësive që i kanë takuar si udhëheqës i aksionit. Ai ka shtuar se i mbrojturi i tij ka negociuar me të kërkuarin Mexhait Qerimin për dorëzim dhe jo për t’i mundësuar që të ikë.

Avokati tuje ka thënë se nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se i mbrojturi i tij nuk ka kontrolluar vendin prej nga ka ikur i kërkuari pasi që sipas tij vetë policët, i kërkuari dhe bashkëshortja e tij kanë dëshmuar se ai ka bërë kontroll në objektin e lopëve prej nga është arratisur Qerimi.

Ai ka thënë se në këtë rast nuk ka pasur përfitim i ikuri pasi që i njëjti është gjetur nga policia dhe ka vuajtur dënimin dhe se duke pasur parasysh që i kërkuari vazhdimisht i është shmangur arrestimit dhe ka pasur armë në dorë në ditën kritike, veprimet e klientit të tij kanë qenë vendimtare që të mos ketë viktima.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarin Seferi ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Biraj ka deklaruar se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar pretendimi i prokurorisë se i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke lejuar me dashje që të ikë i kërkuari Mexhait Qerimi nga arrestimi.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka shpallë të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 26 janar 2018, në ora 13:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren e akuzon Eljami Seferin se gjatë zbatimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dobi personit tjetër.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policor, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit, për ta arrestuar sipas urdhëresës së gjykatës, por ka lejuar që i njëjti të arratiset.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Seferi pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet dhe më pas ai është arratisur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe kërkimin e tij, por pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, e urdhëron ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes./betimiperdrjetsi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-