Nexhat Ibrahimi
Fjala xhihad është termi më i abuzuar se çdo fjalë tjetër këto pesëdhjetë vitet e fundit. Ky term përdoret në kontekste të ndryshme, tërësisht dhe tmerrësisht negative, dhe kurrë në kuptimin e tij burimor, kur’anor-sunetik.
Xhihadi theksohet në aspektin e luftës, madje duke e përkthyer shqip si “luftë e shenjtë” (holy war), edhe pse literatura burimore islame nuk e njeh një term të tillë, as që lufta si e tillë është e shenjtë në Islam.
Lufta e shenjtë është term dhe prodhim kristian, kurse kulmi i këtij prodhimi kristian është Inkuizicioni dhe Kryqëzatat, që me derivatet e tij po vazhdon edhe aktualisht.
Xhihadi në Kur’an nuk është theksuar askund në kuptim të luftës së shenjtë.
As kuptimi gjuhësor i këtij termi nuk e ofron domethënien e luftës së shenjtë.
Sipas dijetarëve muslimanë xhihad do të thotë çdo përpjekje dhe angazhim për bërjen e veprave të mira dhe pozitive.
Krahas këtyre kuptimeve, fjala xhihad ka edhe kuptimin e luftës, por ekskluzivisht për luftërat e drejta dhe të arsyeshme, të cilët zhvillohen në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të tjera njerëzore në rastet e rrezikimit të tyre.
Pra, xhihadi para së gjithash është çdo tentim për të bërë mirë, çdo tentim që me mjete paqësore të arrihen caqet fisnike dhe bamirëse.
Madje, Muhammedi a.s. luftën për të mirë dhe luftën kundër të keqes e ka quajtur xhihad të madh (xhihad’ul-ekber) kundrejt luftës në fushëbetejë, të cilën e ka quajtur xhihad të vogël (xhihad’ul-esgar).
Nëse i kemi parasysh këto interpretime të drejta dhe burimore, bëhet e qartë se xhihadi i shpjeguar si luftë e shenjtë është konstrukt joislam, evro-perëndimor, i paqëndrueshëm shkencërisht dhe tendencioz ideologjikisht.
Këtë e vërteton dhe qëndrimi kur’anor se lufta nuk mund të përdoret me qëllim të përhapjes së fesë, pos për vetëmbrojtje.
Kur’ani e gjykon luftën e padrejtë, të dhunshme dhe shkatërruese tepër ashpër, e quan absurd dhe mëkat.
Mënyra, rruga fi sebil’il-lah e përhapjes së Islamit nuk mund të bëhet në emër të zaptimit të territoreve dhe eksploatimit material.
(Islampress, Opoja.net)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.