67-vjeçarja Saime Domazeti u gjet e vdekur më 27 dhjetor 2022, në fshatin Kuk të Dragashit. Vdekjen e saj, Policia e Kosovës e cilësoi si vdekje të dyshimtë, pasi ajo edhe më herët ishte raportuar se ishte subjekt i dhunës në familje, pasi ishte larguar nga shtëpia për tu lënë në një qilar.
Përkundër kësaj, edhe pse Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave kishte qenë e njoftuar më herët këtë rast, nuk kishte bërë fare kërkesë për caktimin e urdhrit mbrojtës sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje. Kjo pasi sipas tyre, në arsyetimin e raportit informues, Qendra për Punë Sociale ishte shprehur se viktima nuk ka nevojë për urdhër mbrojtje.
Zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale në Dragash e kishin vizituar viktimën, por me arsyetimin se bazuar nga praktika e rasteve të tjera, strehimoret nuk kanë kushte adekuate për raste si ky, nuk e kishin referuar rastin për në strehimore.
Ibrahim Gashi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Dragash, në një bisedë telefonike, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se kanë vizituar viktimën dhe kanë shikuar nëse ajo ka pasur shenja të dhunës fizike.
“Dëgjo, dhunë fizike nuk ka pas në atë kohë. Kur u paraqit rasti, nuk ka paraqit dhunë fizike deri në momentin që tash qysh po dëgjohet në bazë mediave”, ka thënë Gashi.
Por, duket se Qendra për Punës Sociale nuk kishte vlerësuar nëse viktima kishte pasur dhunë psikologjike, marrë parasysh faktin se ajo ishte larguar nga shtëpia duke u lënë e vetme.
“Dhunë psikologjike ndoshta ka mund, ndoshta ka mund, po janë kujdesë ata deri në atë moment që disa vite e tash në fund…”, ka thënë Gashi, duke shtuar se kishin bërë marrëveshje me familjet që të kujdesen për të njëjtën.
Gashi, tutje shprehet se meqenëse viktima ishte me të probleme mendore, e dinin që strehimorja nuk do e pranonte, e po ashtu as shtëpia e të moshuarve.
“Në shtëpi të moshuarve është vështirë të vendoset ajo se edhe nuk i pranojnë nëse është me aftësi të kufizume po edhe nëse ka të afërt, janë kriteret kush pranohen në shtëpinë e personave të moshuar pa përkujdesje familjare. E dyta, strehimorja s’i pranon kur kanë probleme psiqike”, është shprehur Gashi.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Vrasja në duar të shtetit” e Saime Domazetit”, i cili transmetohet në KTV, TV Arta dhe “Betimi për Drejtësi”. /BetimipërDrejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.