Verëza, apo dita e parë e pranverës, është një festë tradicionale në Opojë. Mendohet se kremtimi i kësaj dite vjen që nga lashtësia dhe festa e verzës konsiderohet si festë pagane. Për vetë faktin se në krahinën e Opojës mbretërojnë dimra të fortë si pasojë e lartësisë së madhe mbidetare, ardhjes së pranverës me të drejtë i janë gëzuar tradicionalisht banorët e kësaj treve. Janë një varg ritesh që kanë mbijetuar që nga lashtësia duke u ruajtur pothuajse të pandryshuara deri më sot, me të cilat shënohet kjo ditë e parë e pranverës.
Ceremonia fillon më 13 mars, ditë kjo që në Opojë njihet si “nata e Verzës”. Këtë ditë, vajzat e reja nuk punojnë, por mblidhen në grupe dhe këndojnë këngë tradicionale të motmotit që i kushtohen ardhjes së verzës, ndërkohë që djemtë e rinj grumbullojnë dru e shkurre dhe përgatitën për të ndezur zjarr. Zjarret zakonisht ndezën në mbrëmje në ndonjë kodrinë afër fshatit dhe kanë karakter garues mes lagjeve. Amviset, apo zonjat e shtëpisë, këtë ditë gatuajnë flija si dhe ziejnë vezë për fëmijët por edhe të rriturit. Zierja e vezëve më tepër i gëzon fëmijët të cilët i ngjyrosin ato dhe në buzëmbrëmje, pak para se të ndizen zjarret, i thyejnë ato duke e zhvilluar një lloj gare se cili e ka vezën më të fortë! I gjithë ky ritual përcillet me këngë e valle rreth zjarrit ku të rinjtë këndojnë këngë tradicionale që në të shumtën e rasteve shprehin gëzim e lumturi që më në fund dimri i vështirë po ia lëshon vendin pranverës së gëzuar.
Një ritual i veçantë është edhe gjatë kohës së darkës kur në secilën familje shtrohet flija. Zakonisht, të rinjtë dhe të rejat e moshës për fejesë, kafshoren e parë të flisë, në vend se ta hanë, e fshehin diku në mënyrë që kur të shkojnë në gjumë, atë ta fusin nën jastëk, ashtu që në ëndërr t’u paraqitët i fejuari apo e fejuara e ardhshme!
Të nesërmen, më 14 mars, apo në “ditën e Verzës” siç thuhet në Opojë, të rinjtë zgjohen shumë herët, “për t’u dalë kësmeti më herët”, dhe ndezin përsëri zjarre, por kësaj radhe më të vogla. Vajzat këndojnë rreth zjarreve duke përdorur në të shumtën e rasteve edhe këngë shpotitëse për shoqet e tyre, apo për vajzat nga një lagje tjetër të cilat nuk janë zgjuar herët:
“Ka ra dilli nor penxhere
hala po flini mori demele…”.
Gjatë kësaj kohe, vajzat i tregojnë njëra tjetrës së kush u ka dalë në ëndërr, pastaj mbledhin lule të verzës dhe shkojnë shtëpi më shtëpi duke kënduar e duke kërkuar nga e zonja e shtëpisë që t’u dhuroj diç (zakonisht ndonjë kokërr ve, tëlyen apo miell, me të cilat pastaj vajzat gatuajnë fli). Gjatë gjithë kësaj dite, vajzat e reja shëtisin poshtë e lartë duke kënduar këngë motmoti, e të njëjtën gjë e bëjnë edhe djemtë me të vetmin dallim se këta të fundit shëtisin edhe nëpër lagje dhe fshatra tjera.
Vajzat e fejuara, ditën e Verzës dërgojnë vezë të ziera në familjen e djalit, ndërsa këta të fundit i dërgojnë “nuses” peshqeshe të ndryshme, rroba, stoli ari etj.
Është interesant fakti se përkundër modernizimit të jetës dhe transformimit të shoqërisë, ky ritual i kremtimit të Verzës është ruajtur me fanatizëm deri në ditët tona. Më 13 mars, nëpër të gjithë fshatrat e trevës së Opojës bie në sy kremtimi i kësaj feste tradicionale.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.