Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Bruksel ku ka zhvilluar takime me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve veç e veç që zhvilluan liderët e dy shteteve nga Ballkani Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së, të katër ata kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët, ku Kurti shihej i buzëqeshur, ndërsa Vuçiq i zymtë, shkruan Klan Kosova.
Më e pazakonshmja e këtij takimi ishte çasti kur gjatë takimit bilateral me Kurtin, Borrell edhe pse e kishte të vendosur në dorën e tij një orë, ai i nxori edhe dy tjera nga xhepat e tij dhe i vendosi mbi tryezë.
Klan Kosova i ka kontaktuar dy njohës të protokollit për t’i pyetur se si i kanë parë këto zhvillime në Bruksel.
Sipas ekspertit të protokollit, Tomorr Avdiajt, vendosja e orëve mbi tavolinë ishte mesazh i Borrellit drejtuar Kurtit se koha po skadon.
”Takimi i sotëm në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, nën presionin e një kohe të limituar nga negociatori Borrell i cili kishte mbushur xhepat me kronometra orësh që ia bënte të qartë kryeministrit Kurti se koha po skadon”.
”Edhe në bisedën në hollin e korridoreve të selisë së BE-së, Borrell dukej shumë i tensionuar, kurse Kurti në imazh dhe në pamje të gjuhës së trupit dukej i qetë dhe shkëmbente fjalë me nuancë që ishte larg kompleksimit që zakonisht i marrin me vete zyrtarët shtetërorë para takimeve të tilla”.
Tutje, Avdia e ka parë sjelljen e Kurtit në këto takime si të matur dhe pozitive, ndërsa atë të Vuçiqit si të tensionuar.
”Kurse formati i takimit me treshen Borrell, Kurti dhe Vuçiq, ajo çfarë dukej qartë ishte se kryeministri Kurti shpaloste qetësi, siguri, maturi me buzëqeshjen që e ‘mbyste’ pamjen e Vuçiqit, i cili dukej jo vetëm i tensionuar, por edhe shumë i humbur që të linte të kuptonte se në çdo moment do të largohej nga dritaret dhe jo nga dera. E gjithë kjo duhet të shikohet në letër se kush do të jetë fituesi, Kurti apo Vuçiq dhe Borrell?”.
Edhe njohësi tjetër i protokollit, Haki Merovci, takimet në Bruksel nuk i ka cilësuar si profesionale duke thënë se nuk ka pasur protokoll të mirëfilltë.
”Buzëqeshja e kryeministrit Kurti është pasqyre e nivelit të kulturës-etikës në protokollin zyrtar. Pamja e zymtë e Borrellit më së paku ka të bëjë me etikë. Gjuha e trupit si disiplinë e protokollit flet shumë. Andaj vetëm Borrelli e di se çfarë mesazhi do të japë me ‘qehre’ të tillë. Kjo në protokoll është fenomen i rrallë dhe si i tillë është ‘incognito’”.
Sa i përket vendosjes së orëve mbi tavolinë, Merovci po ashtu ka thënë se ka qenë një mesazh i kryediplomatit të BE-së drejtuar shefit të ekzekutivit të Kosovës i llojit ‘merre ose lëre’.
”Edhe te vendosja e orëve mbi tavolinë, këtë gjuhë të trupit/ komunikimit jo verbal të Borrellit, unë e shoh si mesazh ‘mjegullie’ vetëm ai e din se çfarë donte të thoshte me këtë gjest fizik ‘merre ose lëre’?”.
”Në këtë takim më se paku ka pasur protokoll të mirëfilltë. Për më tepër, nuk është hera e parë e moskoordinimit të protokollit të BE-së me protokollet respektive të ambasadave të Kosovës dhe Serbisë. Duhet patjetër të ketë një agjendë me detaje relevante përkitazi me protokollin diplomatik – respektivisht me dizajnimin funksional të takimit”.
Pas takimeve, Borrell ka mbajtur një konferencë për media, ku ka theksuar se e ka bërë një propozim në mënyrë që të anashkalohet përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës, por sipas tij, të njëjtin propozim e ka refuzuar Kurti.
Ai ka thënë se palët – posaçërisht Kosova – kanë treguar mungesë respekti në dialog dhe se për këtë sjellje do t’i njoftojë vendet anëtarë të BE-së.
Tutje ai ka vazhduar t’i bëjë thirrje Kosovës që menjëherë t’i suspendojë fazat e mëtejshme që kanë të bëjnë me ri-regjistrimet e veturave në veri të Kosovës si dhe nga Serbia ta suspendojë lëshimin e licencave që kanë të bëjnë me Kosovën, duke përfshirë edhe ato KM.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.