Komunën e Dragashit sot e vizitoi drejtoresha e organizatës turke TIKA në Prishtinë, znj.Fulya Aslan, e shoqëruar nga komandanti i LMT-së – Njësia në Dragash, Major Murat Akdemir, të cilët u pritën nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Qafleshi Skeraj, si dhe përfaqësuesja nga Grupi i Grave Asambleiste, znj.Xhylferie Bahtijari Beqiri dhe doktoresha gjinekologe, znj.Sebahate Sylejmani Shala.
Temë e diskutimit në këtë takim ishte mbështetja e TIKA-s për qytetarët e Komunës së Dragashit, me theks të veçantë fermerët, gratë dhe komunitetet joshumicë. Për këtë qëllim, Kryetari Xheladini dhe drejtoresha e TIKA-s, znj.Fulya Aslan, u dakorduan lidhur me disa kërkesa, të cilat Kryetari Xheladini ua dorëzoi edhe zyrtarisht me shkrim, siç janë:
– Kërkesë për financimin e projektit të PAPA TEST-it për 1000 gra nga Komuna e Dragashit;
– Kërkesë për sigurimin e një ultrazëri me tri sonda për nevojat e gjinekologes në QKMF;
– Kërkesë për mbështetje të sektorit të bletarisë me shoqëri të bletëve, furnizimin me pajisje për përpunimin e mjaltit, koshere, tymosëse, rroba mbrojtëse, ushqime për bletë dhe fletëza dylli, preparate për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të bletëve, si dhe kuti për ushqime;
– Kërkesë për mbështetje të fermerëve me gjedhe qumështore, dele qumështore, inpute bujqësore, furnizmin me pajisje dhe makineri për nevoja të fermerëve, si dhe përmirësimin e kushteve në stane – rregullimin dhe renovimin e tyre;
– Kërkesë për renovimin e Kabinetit të ShFMU “Restelica” në Restelicë;
– Kërkesë për sigurimin e një autobusi për transportin e nxënësve të komunitetit joshumicë;
– Kërkesë për furnizim me tri trafo elektrike.
Drejtoresha e TIKA-s dhe komandanti i LMT-së u zotuan se do t’i vlerësojnë të gjitha këto kërkesa dhe se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për realizimin e tyre.
Në shenjë falënderimi, Kryetari Xheladini i dhuroi drejtoreshës Fulya Aslan një punim dore nga Këndi i Kurajos, të punuar nga gratë anëtare të QPDG-së. /Opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.