Urimi i kryetarit Shaban Shabani me rastin e kremtimit të 17 shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës
Kremtimi i 13-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të strukturave komunale, t’ju përcjell të gjithë banorëve të Dragashit urimet më të ngrohta.
Kjo festë sublimon përpjekjet tona shekullore për jetë të lirë dhe shtet të pavarur e sovran, duke na bërë krenarë ne dhe fëmijët tanë.
Derisa kremtojmë 13-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në mendje na vijnë gjithë ato gjenerata, që kanë sakrifikuar për këtë ditë dhe që nuk janë në mesin tonë. Në mendje na vijnë ata që kanë rënë me idenë e lirisë dhe shtetit të pavarur për brezat e rinj dhe vet nuk e kanë parë as provuar si është liria dhe shteti yt. Ata e kanë nderimin e përjetshëm, ndërsa neve na mbetet amanet i përhershëm forcimi i këtij shteti.
Përfitoj nga rasti që në këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për popullin e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit tonë, dhe shndërrimin në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi e kontribues për paqen.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.