Falënderimi i takon Allahut, Zotit të gjithë botëve. Dërgojmë salavat dhe selame për të dërguarin e fundit të Allahut dhe të dashurin e Tij Muhamedin (savs), për shokët e tij, familjen e tij dhe për të gjithë ata që kanë jetuar dhe vdekur me besim në zemër.
Vëllezër të dashur, ia kujtoj vetes dhe juve besimin e fortë në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.
Hasan Basriu na tregon: “Hyra te një zjarrputist, ndërsa ai ishte në shtratin e vdekjes. Ishte fqinj i mirë, me sjellje të mirë dhe me moral të lartë, andaj shpresova se Allahu i Lartësuar do ta udhëzojë në rrugën e drejtë, qoftë edhe në prag të vdekjes, dhe do të vdesë si musliman. E pyeta: “Si po ndihesh?” Ai m’u përgjigj: “Zemra ime është e sëmurë dhe nuk ka shërim për të, trupi im më është dobësuar dhe nuk ka forcë, varri është i shkretë kurse unë nuk kam shok, rruga është e gjatë, kurse unë nuk kam pajisje për rrugë, zjarri është ndezur kurse unë nuk kam mbrojtje, Xheneti është i gjerë kurse unë nuk kam vend në të, Zoti është i drejtë kurse unë nuk kam prova dhe justifikime!”
Më pas iu afrova dhe i thashë: “Pse nuk e pranon Islamin dhe të shpëtosh?”
M’u përgjigj: “Çelësi është te Zoti i botëve, ndërsa dryri është këtu!” – dhe tregoi në zemrën e tij. Kur dëgjova këtë, bëra lutje: “O Zot i im, nëse vepra e mirë e këtij zjarrputisti ka tejkaluar veprën e tij të keqe, shpejtoja udhëzimin e tij para se të ndahet nga kjo botë dhe para se të shuhet çdo shpresë!” Më pas ai i hapi sytë dhe tha: “O hoxhë, Allahu e dërgoi çelësin, shtrije dorën tënde dhe bëhu dëshmitar, kurse unë po dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij!” – dhe më pas e dha shpirtin.”
Vëllezër të dashur!
Ka shumë rreth nesh, ashtu sikurse rreth Hasan Basriut, fqinjë, miq, që kanë shpirt të mirë, sjellje të mirë, që duan të ndihmojnë në çdo situatë, por nuk mund t’i shqiptojnë fjalët e shehadetit, nuk mund t’i bëjnë sexhde Allahut, nuk mund ta kalojnë pragun e xhamisë, sepse Allahu ka bërë që zemrat e tyre të jenë të mbyllura.
Prandaj, herë pas here, le të bisedojmë me ta, pa i munduar shumë, le t’i ftojmë në besimin e Allahut, le t’i ftojmë në namaz, le t’i ftojmë në xhami… sepse i Dërguari i Allahut (savs) thotë: “Nëse Allahu me veprimin tënd e udhëzon dikë në rrugën e drejtë, është më mirë për ty se e gjithë bota dhe gjithçka që është në të.”
Le të bëjmë lutje të sinqerta tek Allahu i Lartësuar për fqinjët tanë, për miqtë tanë, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë se kjo lutje nuk refuzohet.
Por nëse ata e refuzojnë ftesën tonë, nëse lutjet tona nuk pranohen menjëherë, nuk duhet të mërzitemi, duhet të vazhdojmë të përpiqemi, t’i ftojmë dhe të lutemi, sepse çelësat e udhëzimit gjenden tek Allahu i Plotfuqishëm dhe Ai ia jep atij që dëshiron, kurse ia mohon atij që dëshiron. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai të cilin Allahu e udhëzon, është në rrugë të drejtë, ndërsa ai të cilin Allahu e shpie në humbje, është vërtet i humbur.” (el-A’raf, 178.)
Shpirti i mirë dhe morali i mirë janë të rëndësishëm, sepse kjo është ajo që do t’ju shpijë në Xhenet, por pa shehadet, pa namaz, pa agjërim, pa zekat, pa haxh… nuk kemi shpëtim, edhe nëse e kemi shpirtin më të mirë, por Allahu e di më së miri.
Do të ishte bukur që hutben e sotme ta mbyllnim me vendim që secili prej nesh që jemi këtu, nëse do Allahu, deri në xhumanë e ardhshme, të flasë me një mik të vetin që nuk vjen në xhami, që nuk i bën sexhde Allahut, ose që e bën shumë rrallë, dhe ta ftojë në xhumanë e ardhshme ose në ndonjë namaz tjetër ditor në xhami.
Vëllezër të dashur!
Mbajeni në mend se ftesa për të mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk është vetëm detyrë e imamëve, hoxhallarëve… por është detyrë e të gjithëve që për veten thonë se janë muslimanë, sepse Pejgamberi (savs) thotë: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, ose do ta urdhëroni të mirën dhe do ta ndaloni të keqen, ose Allahu do të dërgojë ndëshkim mbi ju dhe, pastaj do ta thirrni Atë, por Ai nuk do t’ju përgjigjet.”
O Allah, të lutemi, na udhëzo në rrugën e drejtë dhe na ndihmo në përpjekjet tona që sa më shumë njerëz të jenë në Rrugën e drejtë! Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.