Kanali i parë dhe i vetëm televiziv në komunën e Sharrit, TV OPOJA do të transmetojë drejtpërdrejtë ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të Turneut humanitar “Opoja për Gentianen” që do të zhvillohen me datë 5 shkurt 2018 me fillim në orën 17.00!
Me këtë edhe TV OPOJA po u bashkohet mijëra njerëzve e organizatave të vullnetit të mirë të cilët po ndihmojnë në grumbullimin e mjeteve për shërimin e Gentiana Qafleshit e cila është shtruar për shërim në një spital të Francës dhe për shërimin e saj nevojitet shuma prej 150 mijë eurosh! Turneu humanitar “Opoja për Gentianen”, më i madhi që është organizuar ndonjëherë në trevën e Opojës me pjesëmarrje të 40 ekipeve nga komuna e Sharrit si dhe nga ajo e Prizrenit, ishte ide e futbollistit të mirënjohur opojan Ditëlind Reshiti i mbështetur nga bashkëlojtarë të tij të KF OPOJA dhe rinia e fshatit Bellobrad, ka për synim grumbullimin e mjeteve për shërimin e Gentianes. Turneu po mbahet në QRS “Qëndresa” në fshatin Kapre. Pas 38 ndeshjeve, të zhvilluara të shtunën e të dielën, sot (e hënë, 5 shkurt) luhen dy ndeshjet e fundit të turneut, përkatësisht gjysmëfinalja ndërmjet ekipeve “Autolarje XIMI” dhe “KF OPOJA” e cila fillon në orën 17, ndërsa ndeshja finale në të cilën do të takohen fituesi i gjysmëfinales me ekipin “Ura Plast”, fillon në orën 19.00.
Ju njoftojmë se Televizioni OPOJA mund të shikohet nëpër rrjetet kabllore si dhe ato Iptv, por edhe në playstore duke e shkarkuar aplikacionin personal të saj në web faqe, e gjithashtu ndeshja transmetohet “live” edhe në faqen zyrtare të TV OPOJA në facebook! Gentianes i dëshirojmë shërim të shpejtë, organizatorëve të turneut suksese, ndërsa atyre që kontribuojnë në këtë aksion humanitar ju dëshirojmë mbarësi!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.