807 qytetarë kanë aplikuar për të kërkuar mbështetje financiare që të shërohen jashtë vendit, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.
Kështu Gazetës Express i ka thënë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Ky fond ka treguar që gjatë këtij viti këtë kategori e ka mbështetur me 3 milionë e 200 mijë euro.
Tre sëmundjet qe kërkojnë ndihmë financiare për shërim jashtë vendit, me të shpeshta janë; sëmundjet malinje (si leukemia), sëmundjet e kardiokirurgjisë se fëmijëve, rastet ortopedike etj”, thuhet në përgjigje.
Shpesh në opinion publikohen thirrje të familjeve të cilët kërkojnë ndihmë për më të dashurit e tyre.
Kjo pasi fondi i siguruar prej shtetit nuk mjafton për trajtimin e pacientit jashtë vendit.
E për këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, gishtin e ka drejtuar kah Ministria e Shëndetësisë.
Haxhiu i ka thënë Gazetës Express se listat e kërkesave për trajtime jashtë vendeve janë shtuar.
“Kjo i kushton shumë buxhetit të shtetit, por është edhe një maltretim për pacientët dhe familjet e tyre, sidomos me u marrë me dokumentacionin që duhet për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Haxhiu.
Pos Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhiu ka plasuar kritika edhe për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
“Po ashtu për një kohë të gjatë bordi për trajtim jashtë vendit ka qenë jofunksional dhe pastaj ka pasur pengesa të mëdha”, ka thënë Haxhiu.
Institucionet përgjegjëse i ka quajtur si të papërgjegjshme.
Po ashtu Haxhiu ka thënë se shumë operacione në Kosovë nuk kryen për shkaqe krejt teknike.
Ka folur edhe për procedurën e vështirë deri te marrja e një shifre financiare nga shteti për t’u shëruar jashtë vendit.
“Po patjetër që me rregullore nëse brenda 6 muajve nuk është proceduar kërkesa ajo është dashur të përsëritet”, ka thënë Haxhiu.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.