Tregimi për njeriun, i cili e jetoi në praktikë hadithin: Pasuria nuk pakësohet nga sadakaja

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Dr. Halid el-Xhubejr, misionar dhe kirurg i famshëm saudit, transmeton një ngjarje të pabesueshme, e cila i kishte ndodhur atij në Marok.

Ai tregon se njëri nga princat saudit e kishte dërguar me shpenzimet e tij në Marok, për t’i kryer disa procedura mjekësore. Pasi kishte mbërritur, mjeku ishte shokuar kur kishte parë se sa shumë pajisje i mungonin spitalit, dhe atë deri në masën, që nuk mund ta kryente procedurën, për të cilën ishte dërguar me shumën buxhetore që kishte me vete.

Për shkak të afatit të kufizuar kohor, ai nuk mundi të kontaktonte me princin për t’i kërkuar më shumë para, u detyrua që të merrte pajisje me qira. Një maroken erdhi te mjeku dhe i tha, se aty në afërsi jeton një biznesmen lokal, i cili është i njohur si shumë bujar, kështu që, mjeku shkoi në shtëpinë e tij. Ai ia shpjegoi situatën në të cilën ishte, dhe i tha se kishte nevojë për 100,000 dollarë për të marrë pajisje me qira. Biznesmeni iu drejtua një personi në dhomën ku ishin, dhe i tha që t’i jepte mjekut atë që po kërkonte. Dr. Halidi i tha që atij personalisht mos t’i jepte asgjë, por ia dha atij listën e kompanive, prej të cilave duhej të merreshin pajisjet, dhe biznesmeni pranoi.

Dr. Halidi ia kujtoi atij njeriu hadithin vijues: “Pasuria nuk pakësohet me sadakë.”(Muslimi) Meqë rast, biznesmeni iu përgjigj: “O biri im, ky hadith ka të bëjë drejtpërdrejt me mua, pasha Allahun, në fillim të javës, nuk e jap një milion, e që në fund të javës të mos i marrë tre milionë. Pasha Allahun, unë e jetoj në praktikë këtë hadith.”

Ky biznesmen kurrë nuk e kishte refuzuar askënd, pse? Sepse e dinte se pasuria e tij i përket Allahut, dhe Ai e shton dhe e pakëson. Ky njeri e konsideron veten rojtar të kësaj pasurie, kurse detyra e tij është që ta shpenzojë në emër të Allahut. Si do të kompensohet, ai thjesht ka besuar se do të kompensohet.

Me një rast e kishin intervistuar dhe e kishin pyetur se, a të kanë pyetur fëmijët ndonjëherë pse po jep kaq shumë.

Ai ishte përgjigjur me pyetje: “A është ajo pasuri e fëmijëve të mi?”

Gazetari i kishte thënë: “Jo, nuk është e tyre, por e jotja.”

Ai kishte vazhduar: “Jo, nuk është pasuria ime, ajo është pasuria e Zotit tim. Unë vetëm e ruaj. Për më tepër, unë fëmijëve të mi ju kam dhënë mjaftueshëm, secili prej atyre 4 kanë nga një fabrikë dhe fitojnë mirë, çka do të dëshironin më tepër.”

Dr. Halidi pastaj i përmendi disa vakëfe të këtij njeriu. Subhanallah, këta janë njerëz të sinqertë dhe nuk kërkojnë as lavdi as mirënjohje, ata japin në emër të Allahut, dhe ne për ta nuk dimë asgjë.

Në tregime të tilla, fshihen mësime për të gjithë neve. Askush prej nesh nuk duhet të ketë frikë të japë nga pasuria e tij për qëllime të mira. Mos harroni, ne këtë nuk e bëjmë për njerëzit, ne atë e bëjmë në emër të Allahut dhe jemi absolutisht të sigurt se Allahu vlerëson atë që e bëjmë sinqerisht në emrin e Tij. Kjo është situata në të cilën ne gjithsesi dalim fitues. Ne kurrë nuk jemi në humbje. Allahu do ta kompensojë atë që e japim dhe do ta rrisë, por vetëm atëherë kur Ai e konsideron të nevojshme. Prandaj, nëse e dimë këtë, atëherë lirisht mund të ndajmë nga pasuria jonë dhe nuk duhet të brengosemi kur do të na kompensohet.

Le të japim duke e ditur se Allahu për të është i vetëdijshëm, dhe pastaj le të shpresojmë që Allahu atë do të na pranojë.

Shejh Junus Katrada; IslamBosna.ba

Përktheu: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-