Tregim i tradhtisë: Si thyhet shtylla kurrizore e atdheut?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Thuhet se një sundimtar i një shteti doli me gardën e tij për t’i vizituar qytetarët e tij. Gjatë vizitës, ai ndaloi në shtëpinë e një burri, i cili i mirëpriti dhe i priti bujarisht, pa pyetur se kush ishin ata. Kur sundimtari u largua nga shtëpia e tij, pa një qen të varur pranë shtëpisë dhe pyeti të zotin e shtëpisë për arsyen. Burri refuzoi të përgjigjej duke thënë: “Ky është një tregim i gjatë dhe nuk dua t’ia tregoj askujt.”

Të nesërmen, sundimtari dërgoi komandantin e gardës së tij për të pyetur për qenin e varur, por burri refuzoi sërish të fliste. Ditën e tretë, sundimtari dërgoi ushtarët e tij dhe e sollën burrin në pallatin e tij.

Sundimtari e pyeti për qenin e varur, dhe ai i tha: “Nuk do ta tregoj këtë tregim derisa të më bësh sundimtar për një kohë të shkurtër.” Sundimtari u habit nga kjo kërkesë dhe e refuzoi prerazi, duke i urdhëruar të largohej nga pallati.

Megjithatë, gjatë natës, sundimtari nuk reshti së menduari për këtë dhe çështja e qenit të varur ia preokupoi mendjen, duke e lënë pa gjumë. Pas disa ditësh, sundimtari urdhëroi ushtarët e tij ta sillnin sërish burrin dhe i tha se kishte pranuar kërkesën e tij, me kusht që pas kësaj ai t’ia tregonte në e qenit të varur.

Burri mori postin e sundimtarit dhe në ditën e parë të sundimit të tij i shkarkoi të gjithë zyrtarët kryesorë, duke përfshirë ministra, personalitete të njohura, komandantë ushtarakë dhe drejtues të shërbimeve të inteligjencës, veçanërisht ata që kishin shtetësi të huaj dhe drejtonin punët e caktuara të shtetit, dhe i futi të gjithë ata në burg. Ai gjithashtu u dërgoi mesazhe të gjitha vendeve fqinje, që merrnin taksa nga ky shtet dhe shfrytëzonin burimet e tij, duke thënë: “Që nga sot nuk do të merrni asnjë dinar nga ne dhe nuk keni më asnjë autoritet mbi ne.”

Pas kësaj, zyrtarët e këtyre vendeve tentuan të lidhen me agjentët dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda shtetit, si dhe me tradhtarët vendas që punonin për ta, për të mbajtur pozitat e tyre të dhëna falë ndikimit të këtyre zyrtarëve, por nuk patën sukses, pasi të gjithë ishin në burg.

Shpejt pas kësaj, thesari i shtetit u mbush. Kur sundimtari i parë u kthye në pozitë dhe pa thesarin plot, ishte shumë i kënaqur, falënderoi burrin dhe më pas i tha: “Tani më trego tregimin e qenit të varur.”

Burri tha: “Unë kisha një tufë dhensh dhe çdo natë humbiste nga një dele. Nuk e dija arsyen. Kjo zgjati për dhjetë net, derisa vendosa ta zbulojë kush po m’i vidhte delet dhe po më shkatërronte pronën. Natën e parë, derisa po ruaja fshehurazi, pashë qenin tim të hynte në tufë, të zgjidhte delen më të majme, ta mbyte dhe t’ia çonte hijenës, ‘mikut’ dhe bashkëpunëtorit të tij. Këtë e bënte çdo natë për të mbajtur pozicionin e tij si ruajtës i tufës dhe për të qenë i sigurt nga hijena e pangopur. Atëherë vendosa të ndëshkoja qenin tim për tradhtinë e tij dhe e vara, që të ishte shembull për të tjerët. Që nga ajo ditë nuk kam humbur asnjë dele.”

Ky tregim na mëson se tradhtia është një mjet i vjetër dhe i provuar që armiqtë e përdorin për t’i arritur qëllimet e tyre të liga. Ajo është një thikë e ngulur pas shpinës së një populli dhe shteti.

Tradhtia, së bashku me motrat e saj, si hipokrizia, intrigat dhe gënjeshtrat, e dobësojnë një popull përballë armikut, i japin mundësi mercenarëve të zënë pozita dhe lakmitarëve të korruptuar t’i kontrollojnë burimet e shtetit dhe jetët e njerëzve, ndërsa të drejtët dhe të ndershmit burgosen, përndiqen dhe përjashtohen.

Kur një njeri i besuar për një detyrë, veçanërisht për çështjet e shtetit, tradhton besimin dhe ngulmon në gabimet e tij, ai lejon çdo veprim të keq për interesin e tij personal, madje edhe tradhtinë ndaj shtetit, vetëm për ta ruajtur pozicionin e vet, për t’i realizuar interesat e veta, dhe për t’i ikur gjyqit të drejtësisë.

Kur personi përgjegjës i kupton lehtësisht gabimet e tij dhe i shpërfill gabimet e tij, në shtet lind kaosi dhe i prishen themelet e tij, edhe sikur të ishte shteti më i fuqishëm. Sepse, asgjë nuk mund ta çojë përpara shtetin si përmbushja e emanetit dhe përmbushja me përgjegjësi e detyrimeve të marra nga ata që e drejtojnë dhe e menaxhojnë atë, as asgjë nuk mund të krijojë kaos në shtet dhe të vërë në dyshim ekzistencën e tij, si tradhtia ndaj interesave të shtetit dhe të popullit në favor të interesave personale.

Nëse kjo ndodh, korrupsioni përhapet si murtajë dhe shteti i tillë është i destinuar për humbje në çdo fushë – politike, ekonomike, ushtarake, shkencore dhe kulturore.

Sikur qeni nga ky tregim të vazhdonte të qëndronte në “detyrën” e tij, hijena pa dyshim do ta kishte ngrënë të gjithë tufën. Dhe çështja nuk do të ndalej këtu, por së shpejti do të vihej në rrezik edhe jeta e pronarit të tufës, kurse në fund do të vinte radha edhe për qenin tradhtar. Por tradhtarët verbohen nga lakmia për pushtet, pasuri dhe prestigj, ndaj nuk e kuptojnë këtë.

Sa do që dikush të përpiqet ta përshkruajë me saktësi tradhtinë, nuk do të mund t’i numërojë të gjitha pasojat e saj të tmerrshme për popullin dhe shtetin.

Sa shumë të drejta janë mohuar dhe grabitur, sa shumë jetë janë humbur, sa shumë gjak është derdhur dhe sa shumë njerëz të pafajshëm janë burgosur nën maskën e patriotizmit dhe luftës për popullin dhe shtetin, ndërkohë që ata që i hodhën në burgje janë tradhtarët e vërtetë, të cilët kanë tradhtuar çdo vlerë dhe parim të lartë njerëzor.

Sa shumë “qen” tradhtarë ka sot në shtetin tonë?

Sa shumë dele u janë dhuruar hijenave të ndryshme dhe sa të mbjella e burime janë plaçkitur e shkatërruar?

Sa hijena vijnë, jetojnë dhe shijojnë të gjitha privilegjet në shtetin tonë, duke punuar në prapaskenë për shkatërrimin e tij, ndërkohë që patriotët e vërtetë dhe ata që me jetën e tyre mbrojtën shtetin jetojnë në margjinat e shoqërisë, të privuar nga të drejtat e tyre, të lënë pas dore dhe të braktisur.

Duke folur për shkaqet e dobësimit dhe përparimit të shtetit, Vehb ibn Munebbih ka thënë: “Nëse sundimtari apo përfaqësuesi i tij synon të bëjë padrejtësi dhe vepron sipas këtij synimi, Allahu do t’ua mohojë njerëzve begatinë dhe bekimin në tregjet e tyre, në të mbjellat dhe në gjithçka tjetër. Por nëse ai synon të bëjë mirësi dhe të sundojë me drejtësi dhe vepron në përputhje me këtë, Allahu do të sjellë begati për popullin dhe shtetin në të cilin ai sundon.”

Shkruar nga: Abdusamed Nasuf Bušatlić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-