Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), në vazhdën e investimeve në rinovimin e rrjetit, ka vendosur një transformator të ri në Dragash.
Transformatori, do të sigurojë shpërndarjen në standardet më të larta të energjisë elektrike në fshatrat dhe qytetin e Dragashit.
Korab Zymeri, menaxher për koordinim të releve në KEDS tha se transformatori i ri, ka kapacitet prej 8 Megavolt Amper (MVA).
“Ky transformator ka dyfishin e fuqisë, krahasuar me atë të vjetrin, sepse është i nivelit të tensionit 35/10 Kilo volt”, tregon Zymeri.
Sipas tij, transformatori i vjetër nuk ka plotësuar kërkesat e banorëve të Dragashit.
“Transformatori i vjetër ka pasur fuqi prej 4 Megavolt Amper (MVA), prandaj nuk i ka plotësuar kërkesat e banorëve”, tregon ai.
Banori i Dragashit Rean Krasniqi tha se kohët e fundit, kanë pasur probleme me furnizim të mjaftueshëm të energjisë elektrike.
“Rryma ka qenë shumë e dobët. Tash shpresojmë se do të kemi më shumë rrymë”, shprehet ai.
Krasniqi, gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar punimet nga punëtorët e KEDS-it, ka përcjell nga afër vendosjen e transformatorit të ri. Ai tregon se transformatori i vjetër, ka qenë i vendosur në vitet 70’ta.
“Transformatori ka qenë shumë i vjetër ”, shprehet ai.
Menaxheri i KEDS-it Zymeri, tha se me ndërrimit e këtij transformatori është rritur siguria e furnizimit me energji elektrike në komunën e Dragashit”.
© Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.