Të jesh i kënaqur ashtu si je

Opoja.net Opoja.net Artikuj

A e di se duhet të jesh i kënaqur ashtu si je. A je? Ji i/e sinqertë. A ke rënë në grackë? A je i/e lumtur me mënyrën se si dukesh? Nëse do të kishe pasur mundësinë, a nuk do të kishe ndryshuar ndonjë pjesë tënden? Ndoshta do të doje të ishe më i/e gjatë a më i/e hollë apo ndoshta do të doje të kishe një ngjyrë tjetër flokësh. Ndoshta do të doje të kishe sy të kaltër apo ngjyrë tjetër të lëkurës.

Në këtë botë ku miliona njerëz vdesin nga uria e sëmundje çdo ditë, është fakt se miliarda e miliarda dollarë shpenzohen çdo ditë për kirurgji kozmetike. Televizori, interneti e gazetat janë plot e përplot me reklama në lidhje me atë se si duhet të dukemi. Për ca mijëra dollarë, operacionet plastike ndryshojnë formën e hundës sate, reduktojnë shfaqjen e rrudhave përreth syve apo bëjnë që ai bark i trashë përgjithmonë të zhduket.

Shumë programe televizive kujdesen për dëshirën publike për të ditur më tepër rreth humbjes së peshës ose rreth mënyrës së veshjes që më së miri fsheh karakteristikat trupore më pak lajkatuese (që janë më pak tërheqëse për syrin). Ndoshta shumë prej nesh nuk shkojnë aq larg sa për të bërë operacion plastik, por me sa duket për arsye se nuk jemi në gjendje (financiare) për ta përballuar e jo për shkak se nuk duam. Ne harxhojmë shumë kohë e energji duke u përpjekur të humbim peshë ose për të ndërtuar muskujt, ashtu që t’i përshtatemi stereotipit që na e paraqesin revistat.

Udhëzim

Le të jemi të sinqertë! Të gjithë kemi rënë në grackën e reklamës, që na bën të besojmë se ka mënyrë të përkryer se si të dukemi. Të gjithë njerëzit, qofshin të rinj apo të moshuar, duan të duken si është më së miri. E pse të mos donin? Nuk është gjë e gabuar të dëshirosh të dukesh mirë. Problemi del në pah kur ajo (dëshira për t’u dukur mirë, pra) del jashtë kontrollit dhe trysnia e njerëzve bëhet aq e madhe saqë njerëzit më jo vetëm që nuk ndihen të lumtur me atë se si duken, por as me atë se kush janë.

Në veçanti të rinjtë detyrohen përmes reklamave që t’i përshtaten një modeli të caktuar. Atyre u thuhet se duhet të blejnë xhinset e tipit më të ri ose një palë atlete të sapodala në treg. U thuhet se këto tuta (lloj veshjeje për gjatë stërvitjesh – veshje sportive) apo ky stil flokësh ata do t’i bëjë të ndihen shkëlqyeshëm (“cool”). Me të veshur tutat nuk ndryshon vetëm dukja. Bërësit e fushatave reklamauese janë aq të mençur saqë na bindin se jo vetëm që do të dukemi shkëlqyeshëm, por edhe se do të jemi të shkëlqyeshëm. Na thonë se edhe personaliteti i secilit prej nesh do të ndryshonte, nëse do të veshnim rroba brendesh të caktuara.

Këto janë gjepura dhe gënjeshtra. Mos harroni se kompanive reklamuese nuk u intereson aspak se si dukemi ose se a jemi të shkëlqyeshëm apo jo. E vetmja gjë që duan të arrijnë është të shesin prodhimet e tyre dhe se s’ka kush që i ndal për të na bërë shtypje që t’ua blejmë ato prodhime.

Duhet shumë kurajë për t’i bërë ballë gjithë kësaj nxitjeje. Në fund të fundit, e tëra bie në atë se si ne ndihemi. Nëse kemi vetëbesim e jemi të kënaqur, fushatat reklamuese nuk do të lënë mbresë te ne. Ndërkaq nëse jemi të cenueshëm e ndiejmë nevojë për rehatim, atyre do t’u bëhemi pre.

Në kaptinën e fundit të Kuranit lexojmë përshkrimin e veprimeve të shejtanit. Ai “pëshpërit në zemrat e njerëzve”, duke u thënë se nuk karakterizohen me cilësi të larta. Kjo kaptinë na paralajmëron që të kemi kujdes ndaj “ligësisë së pëshpëritësit/cytësit, që fshihet (pasi të cytë).”

Allahu i plotfuqishëm na ka krijuar ashtu siç ka dëshiruar të jemi. A mendon se ka bërë gabim kur të ka bërë ty ose mua? A mendon se Ai që krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ka në mes tyre, bëri gabim kur ke lindur ti? Natyrisht se jo. Ai na thotë: “E kemi krijuar njeriun në formën më të bukur.” Në më të bukurën formë.

Sportet e mëdha ose prodhuesit e kozmetikave të ndryshme ndoshta duan të na tregojnë ndryshe, sepse në atë mënyrë ata do të shesin produktet e tyre. Megjithatë nuk ka gjë të keqe të nisim ne pikësëpari ashtu si dukemi. Dhe, meqë ra fjala, dukjet ndryshojnë. Ajo që është dukje e popullarizuar në një gjeneratë, mund të mos jetë aspak e popullarizuar në ndonjë gjeneratë tjetër. Në disa shoqëri, të jesh i/e hollë është shenjë se nuk je i/e ushqyer si duhet e jo (shenjë) se je tërheqës/e! Disa shoqëri të tjera favorizojnë lëkurën e zbehtë më shumë se lëkurën e rrezitur. Ndaj, mos u mashtro! Ajo që duan reklamuesit është që ti të shpenzosh të holla. Kjo është e tëra.

Mendo për këtë!

Mendo për një moment rreth miliona njerëzve në botë, për të cilët nuk kanë vend emrat e brendeve e kozmetikave. Për shembull, të verbrit nuk i intereson se a i ka sytë e kaltër apo të kaftë, kur ai s’mundet të shohë. Çfarë dobie do të kenë një palë nga atletet të stilit më të ri për një djalosh që nuk mundet të ecën? Një vajzë, së cilës i kanë rënë flokët si rezultat i trajtimit të kancerit, do të lëngonte për çfarëdolloj flokësh. Tani a e ke parasysh se sa me fat je? Megjithëkëtë, ka të atillë që na bëjnë të dyshojmë për dhuntitë që na janë dhënë, vetëm për shkakun se duan të përfitojnë prej nesh.

Të jesh i kënaqur ashtu si je s’ka të bëjë aspak me mënyrën se si vishemi ose ngjyrën e syve tanë. Vetëm shikojini fytyrat e lumtura dhe me buzëqeshje të miliona njerëzish që në kuptimin e plotë të fjalës s’kanë asgjë. Megjithatë, për ta, vetë jeta është dhunti. Ndaj vetëm disa momente në ditë për të menduar rreth të gjitha të mirave që i ke në jetën tënde. Hëngre kafjall sot? Mendo për ata që s’kanë ngrënë!

Diskutuam rreth ajeteve të fundit të Kuranit. Gjithashtu edhe në fillim të Kuranit mund të lexojmë: “E kur u thamë engjëjve: përuljuni (bjerini në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të iblisit (djallit). Ai refuzoi, u mbajt në të madh dhe u bë jobesimtar.” (Kuran, 2: 34). Allahu i Plotfuqishëm nuk i urdhëroi engjëjt t’i përulen dikujt që do të ishte më poshtë se ta. Ai krijoi njerëzit si kulminacion i Krijimit të Tij. Nuk ka gjë më të mirë në Krijimin e Tij se njerëzit.

Vullneti i Allahut

Tani zbatoji këto ajete në vete. Ka gjasa që shejtani të jetë duke të pëshpëritur se nuk je aq “cilësor” dhe se asnjëherë nuk do të jesh i tillë. Ai madje ka gjasa edhe të përdorojë kompanitë reklamuese për të forcuar porosinë e tij dhe të të bëjë të besosh se duhet t’i përshtatesh një dukjeje të caktuar, ashtu që të jesh i pranueshëm. Si muslimanë, ne besojmë në diç tjetër. Ne besojmë se Allahu na ka krijuar duke na vënë në kulminacion të krijesave të Tij.

Të besosh në diç tjetër do të thotë të biesh në grackën e atyre që duan të përfitojnë nga ti. Qoftë nëse kemi atletet më të mira në botë, ose nuk kemi atlete fare, ne e dimë të vërtetën kur biejmë me kokë në tokë. Kur ballin e kemi në tokë, nuk mund t’u ikim fakteve. Na ka krijuar Allahu. Është Allahu, Vullneti i të Cilit bën që të jemi duke qenësuar çdo moment të çdo dite. Është Allahu Ai që bën që dielli të shfaqet mëngjesin e ardhshëm dhe edhe një herë të na e kthejë shpirtin.

Herën e ardhshme kur do të lutesh, ndaj një moment për të falënderuar Allahun për tërë këtë që ke, që të ka bëtë ky person që je. Ai nuk ka bërë asnjë gabim. Sfida jonë është të jetojmë kështu si jemi. Mund të fillojmë me shikim në pasqyrë dhe me të bërë me sy personit që shohim. Nëse jemi të mirë për Allahun, do të jemi të mirë edhe për këdo tjetër!

Autor: Idris Teufik (Idris Tawfiq)
Idris Teufik është shkrimtar musliman britanez, që jeton dhe vepron në Egjipt. Ai ka kaluar shumë vjet duke punuar me të rinj. Ai ishte drejtues i edukimit fetar në shumë shkolla në Mbretërinë e Bashkuar dhe, ndoshta që është për ta theksuar, para se të përqafonte Islamin, ai ishte prift katolik.

Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-