Rrafsh një dekadë.
Megjithatë, dialogu për liberalizimin e vizave në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nuk ka marrë akoma epilog.
Kosovarët vazhdojnë të mbesin të ngujuar në rajon, ani se i kanë plotësuar 95 kriteret e Unionit.
Shteteve tjera të Ballakanit u janë dashur tepër pak kohë për finalizimin e këtij procesi.
Shqipërisë dhe Bosnjës tre vjet. Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Spektri politik vlerëson se Kosovës i është bërë e padrejtë deri tash.
“Kemi pasë shkaktarë të shumtë, duke i vënë theks edhe qeverisjeve të kaluara. Prej 14 shkurtit ka ndryshu edhe qasja e BE-së karshi vendit tonë. Sigurisht i është bërë e padrejtë kur një gjë e tillë është kërkuar nga Komisioni Evropian. Besoj që shumë që ky proces do të finalizohet. Na është bërë e padrejtë. Por besoj që e meritojmë liberalizimin e vizave”, u shpreh për “Front Online” Arbëresha Hyseni, deputete e VV-së.
Kolegu i saj, deputeti Agon Batusha thotë se problemi qendron më shumë tek BE sesa tek Kosova.
“Ende s`ka lëvizje nga ana e Këshillit të BE-së gjë që e kuptojmë që është çështje tanimë e qëndrimeve politike e jo teknike. Komisioni i BE ka dhënë rekomandimin pozitive për liberalizim dhe është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian. Pra, Këshilli i BE-së është ai qe nuk e ka futur në agjendë të vendimmarrjes liberalizimin e vizave, e këtu është vendimmarrje politike me vota te secilit shtet anëtare”, u shpreh ai për “Front Online”.
“Front Online” ka tentuar të marrë mendimin edhe të deputetëve tjerë, por ata nuk e kanë hapur telefonin.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku flet edhe për fajin që ka Kosova karshi ngecjes së procesit.
“Kosova ka fajet e saja për shkak të moskrijimit të një mirëqenie më të mirë për qytetarët e vet sepse nuk mjafton vetëm përmirësimi i kushteve teknike për liberalizim vizash, e në anën tjetër të kemi një mirëqenie të keqe, dhe ende të përballemi me mungesë të energjisë elektrike në vitin 2022”, u shpreh Sadiku për “Front Online”.
Disa herë është thënë se Franca dhe Holanda janë dy nga vendet skeptike për regjimin e vizave ndaj kosovarëve.
Franca nga janari i këtij viti për gjashtë muaj do të udhëheqë presidencën e BE-së.
Shpresat që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodh gjatë kësaj periudhe janë të vogla.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.