Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë ceremonisë së hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, përmendi edhe sulmin terrorist që ndodhi më 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit në Kosovë.
“Konfrontimet politike-ushtarake rrezikojnë që të përshkallëzohen dhe të përhapen dhe kjo u pa më së miri shtatorin e vitit të kaluar në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës” – tha Begaj teksa foli për rëndësinë që ka baza e re e NATO-s në vendin që ai e drejton.
Kreu i shtetit shqiptar tha se sulmi në Banjskë në fakt tregoi se sa e brishtë është siguria në rajon.
“(Sulmi)Dëshmoi që ka ende aktorë lokal të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më” – shtoi tutje Begaj.
Ai tha se baza ajrore e NATO-s është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit në mes aleatëve dhe vëmendjes që
Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.
Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO, sipas tij, janë natyrshëm edhe interesa strategjike të Shqipërisë.
“Ky zhvillim është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin. Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët tanë kanë tek Shqipëria. Kjo dëshmon që vendi ka një rëndësi strategjike për Aleancën” – tha i pari i Shqipërisë.
Ky investim, sipas tij, merr një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet kur siguria në hapësirën euro-atlantike është e rrezikuar.
“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindje të Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euro-atlantike” – tha Begaj.
Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, sipas tij, Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e gatshme për të mbrojtur vetën dhe për të kontribuar në aleancë për garantimin e paqes.
Në orët e para të 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.
Në kundërpërgjigjen e Policisë, disa terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.
Katër muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.
Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.
Milan Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.