Myslimanët në mbarë botën e përdorin kalendarin islamik (i njohur gjithashtu si kalendari hënor ose hixhri) për të përcaktuar datat e ngjarjeve dhe festimeve fetare.
Kalendari islamik bazohet në 12 muaj hënor – një muaj i ri fillon kur shihet një hënë e re. Këta 12 muaj janë: Muharrem, Safar, Rabiul Evuel, Rabi al-Thani, Xhumada el-Evuel, Xhumada al-Thani, Rexheb, Shaban, Ramazani, Shevali, Dhul Kada dhe Dhul-Hixhe (muaji i haxhit).
Mbi 1.8 miliard myslimanë në mbarë botën ndjekin në njëfarë forme kalendarin islamik, që do të thotë se datat kyçe, siç është dita e Vitit të Ri, shënohen në periudha të ndryshme për pjesën tjetër të botës, shumica e të cilëve ndjekin modelin e kalendarit Gregorian.
Për besimtarët, kalendari islamik, ka rëndësi fetare dhe ishte kalendari kryesor i jetës së përditshme, derisa bota perëndimore e bëri kalendarin Gregorian dominues, transmeton Telegrafi.
Myslimanët vazhdojnë të shënojnë ngjarje fetare duke përdorur kalendarin islamik, si dhe përvjetorë historikë që lidhen me jetën e Profetit Muhamed.
Kalendari hënor përmendet në Kuran në suren Junus. Në këtë kapitull, myslimanëve iu është thënë se duhet të shënojnë datën bazuar në fazat e hënës.
Pse quhet kalendari Hixhri dhe çfarë dihet për origjinën e kalendarit?
Kalendari islamik zakonisht njihet ndryshe edhe si kalendari Hixhri, që në gjuhën arabe “hixhra” do të thotë migrim.
Siç thuhet, kalendari i referohet migrimit të Profetit Muhamed nga qyteti i Mekës, vendlindja e tij, në Medinë në vitin 622 të erës sonë për t’i shpëtuar persekutimit nga fisi i tij, Kurejshët.
Qyteti i Medinës është i rëndësishëm për myslimanët, pasi aty u krijua komuniteti i hershëm mysliman, i njohur si “ummah” (kombi).
Që nga shpërngulja kanë kaluar 1444 vite hënore, që do të thotë se sipas kalendarit hixhri jemi në vitin 1444.
Si funksionon?
Kalendari islam funksionon bazuar në lëvizjet e hënës, që do të thotë se çdo muaj fillon me një cikël të ri hënor, i shënuar nga “lindja” e një gjysmëhëne të re.
Duke qenë se bazohet në kalendarin hënor, kalendari islamik ka vetëm 354-355 ditë, për shkak të faktit se një cikël hënor zakonisht zgjat 29 ose 30 ditë, në vend të 30 ose 31 ditëve në muaj në kalendarin diellor, ku bazohet kalendari gregorian.
Nëse një gjysmëhënë e re vërehet në ditën e 29-të, kjo shënon fundin e ciklit hënor, kështu që një muaj i ri fillon të nesërmen.
Sipas zakonit fetar, mjafton që një mysliman në komunitet të dallojë hënën.
Sot, me teknologji moderne vëzhgimi i hënës është shumë më i lehtë dhe më i saktë shkencërisht. Prandaj është bërë traditë mes myslimanëve që të përpiqen ta dallojnë vetë dhe të mos mbështeten në ndonjë vend për të parë hënën.
Cilat vende e përdorin ende kalendarin islam?
Myslimanët në të gjithë botën i përmbahen kalendarit hënor islamik, megjithatë shumica do ta jetojnë jetën e tyre të përditshme me kalendarin Gregorian më të përdorur.
Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit ende e përdorin zyrtarisht kalendarin islamik, edhe pse mund të përdorin kalendarin Gregorian për qëllime civile.
Pse Ramazani nuk bie gjithmonë në të njëjtin muaj dhe në të njëjtën datë?
Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit islamik. Datat e sakta të Ramazanit ndryshojnë çdo vit, për shkak të kalendarit që bazohet në ciklet e Hënës.
Këtë vit muaji i Ramazanit ka filluar më 23 mars dhe do të përfundojë më 20 prill (me kalendar gregorian), së paku sipas kohës në Kosovë.
Gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët nuk hanë apo pinë nga koha kur lind dielli e deri kur perëndon. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.