Kombëtarja shqiptare U17 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Turqisë U-17. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Turke e Futbollit kanë arritur së fundmi dakordësinë që këto dy takime të luhen në muajin janar, më konkretisht në datat 18 dhe 20 janar.
Të dyja ndeshjet do të luhen në vendin tonë, ku takimi i parë është caktuar të luhet në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ në ora 17:00, ndërsa miqësorja e dytë e 20 janarit është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 15:00, përcjell FrontOnline.
Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin më 15 janar në Durrës, ndërsa trajneri Bulku do të shpallë listën me lojtarët e grumbulluar për dy miqësoret kundër përfaqësueses turke pak ditë para grumbullimit.
Këto dy miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Turqisë janë një mundësi shumë e mirë për kuqezinjtë si edhe për trajnerin Ervin Bulku e stafin e tij për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët si edhe çfarë nuk shkon me ekipin përpara ndeshjeve të Elite Round që do të zhvillohen në vendin tonë në muajin mars.
Shqipëria është shortuar në grupin 8, së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, teksa pavarësisht kundërshtarëve të fortë, ekipi i drejtuar nga Ervin Bulku synon kualifikimin në finalet e Europianit 2023.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.