Prej fillimit të këtij viti, kushdo që i plotëson kriteret, mund të bëhet pjesë e Forcës Rezerviste në Shqipëri. Ligji që është votuar më 19 dhjetor të 2024-tës, ka hyrë tashmë në fuqi dhe parashikon që Forca Rezerviste të përbëjë 20% të forcës aktive në ushtri, ose të arrijë një personel prej rreth 2.100 vetash në 5-6 vjetët e ardhshëm.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha në Kuvend gjatë miratimit të ligjit se rezervistët që do të thirren për të dhënë kontributin e tyre, do të jenë krah Forcave të Armatosura në misione ushtarake, humanitare, apo civile, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Ky shërbim do të ofrojë një fleksibilitet operacional, duke mundësuar mobilizim të shpejtë gjatë krizave ose emergjencave”, tha Vengu.
Qëllimi i Ligjit për Forcën Rezerviste
Sipas ligjit, mosha maksimale për t’u bërë pjesë e Forcës Rezerviste është 50 vjeç për ushtarët/detarët, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët.
Kohëzgjatja e shërbimit si rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit, por edhe më gjatë, në rast se kërkohen stërvitje më specifike, pjesëmarrje në operacione apo misione ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE, në operacione apo misione humanitare apo në operacione në mbështetje të mbrojtjes civile.
“Për të përballuar gamën e sfidave dhe vështirësive që, kohëve të fundit, janë gjithnjë e në rritje, forcat e shërbimit ushtarak në rezervë duhet të konsiderohen si një pjesë e vlefshme dhe e çmuar e Forcave tona të Armatosura. Do të luajnë një rol të rëndësishëm, praktik e konkret në përballimin e sfidave të çdo natyre e lloji”, thuhet në relacionin që e shoqëron ligjin.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku, thotë për REL-in se ligji vjen si domosdoshmëri përballë situatës së re të sigurisë në mbarë botën.
“Qëllimi i ligjit është ta rrisim forcën ushtarake, komponentin ushtarak, në adresim të sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut”, thotë Kollçaku.
Ai sqaron se, në thelb, është një shërbim vullnetar, ku mund të përfshihet çdo shtetas shqiptar që i plotëson kriteret.
Por, edhe pse i tillë, ka disa detyrime e madje përcakton edhe masa administrative e penale, nëse individi që ka firmosur kontratën, nuk i përgjigjet thirrjes për t’u paraqitur kur ushtria ka nevojë për kontributin e tij.
“Ushtarakët, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë dalë në rezervë sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura, si dhe shtetasit civilë, të cilët i plotësojnë kriteret e pranimit të shërbimit ushtarak në rezervë, rekrutohen nëpërmjet procedurës së konkurrimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë, me kohëzgjatje jo më pak se dy vjet, me të drejtë rinovimi”, shpjegon Kollçaku.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.