Është paralajmëruar valë e re shtrenjtimi të produkteve bazë të konsumit, përtej 2.9 për qind të çmimeve të rritura gjatë muajit mars të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e mëtejme e çmimeve të produkteve ushqimore dhe kostos së jetesës në përgjithësi, sipas ekonomistëve, do të nxitet nga shtrenjtimi i energjisë elektrike për 16.1 për qind, të cilin e bëri ZRRE-ja të premten.
Ekonomisti Fidan Qerimi ka argumentuar se si mund të përdoret si justifikim për shtrenjtim të çmimeve vendimi që ZRRE-ja mori për tarifat.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë edhe në të gjitha produktet e tjera, sepse pjesë e procesit të prodhimit është energjia elektrike. Po ashtu edhe te distributorët apo shitësit me pakicë kemi një rritje të kostos mujore të shpenzimeve për shkak të rritjes së çmimit të energjisë”, ka thënë Qerimi.
Pritje të njëjtë ka shprehur edhe kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku. Sipas tij, shumë biznese kanë rritur çmimin qysh prej kohës kur është paralajmëruar rritja e faturave.
“Nëse ky 16 për qind i shtrenjtimit të energjisë do të ndikonte në kosto, për shembull në pjekjen, gatimin e bukës me 2 për qind, unë pres që furrtarët të reagojnë me 16 për qind me çdo artikull të tyre që e gatuajnë. Me të njëjtën logjikë, me të njëjtën formulë do të vazhdojnë të gjithë artikujt e tjerë, qofshin prodhim vendor, qofshin prodhim importi”, ka thënë Kaçaniku.
Ai ka kritikuar Qeverinë, për mungesë reagimi.
“Nëse Qeveria do ta njihte qytetarin konsumator – qysh nuk e njeh dhe nuk e ka njohur asnjë legjislacion qeveritar deri më tani – po. Por, meqë nuk e njeh as kjo legjislaturë qeveritare, unë nuk pres ndonjë reagim ose do të jetë reagim i mangët, ose i vakët, siç ishte reagimi i ZRRE-së”, ka thënë Kaçaniku
Edhe ekonomisti Qerimi shtron nevojën për ndërhyrjen e Qeverisë, me qëllim të frenimit të rritjes së çmimeve. Sipas tij, ekzekutivi mund të ndërhyjë, me tatimin mbi vlerën e shtuar.
“Një mënyrë të cilën mund qeveria të ndikojë në këto çmime është përmes uljes së TVSH-së apo normës së TVSH-së për produktet bazë, që do të ndikojë në uljen e kostos të jetesës së qytetarëve pavarësisht të ardhurave të tyre”, ka thënë Qerimi
Vendimi për rritjen e tarifave të energjisë në mesatare prej 16.1 për qind u mor të premten nga Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kundërshtimeve të shumta. Vendimi u kundërshtua edhe me protesta.
Të njëjtën ditë Agjencia e Statistikave ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2023. Sipas saj, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9 për qind në muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022.
Tutje thuhet se rritja kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemët 19,4 për qind, perimet 16,1 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 10,8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 7,7 për qind, prodhimet ushqimore 7,0 për qind, veshjet dhe këpucët 6,0%, pijet alkoolike, duhani 5,9 për qind, rekreacionet dhe kultura 5,3 për qind.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.