Shoqata e Bankave të Kosovës: Përfshirja në Google Wallet, vendim individual i bankave

Opoja.net Opoja.net Teknologji

Ditë më parë në Kosovë është lansuar aplikacioni Google Wallet, aplikacion ky që shërben për menaxhimin e pagesave.

Ai ofron një mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme për të kryer pagesa në internet dhe në dyqane fizike.

E aktualisht në Kosovë shërbimin e këtij aplikacioni e ofrojnë vetëm dy banka.

Lidhur me këtë çështje nga Shoqata e Bankave të Kosovës kanë deklaruar për Telegrafin se pranimi i Kosovës në Google Wallet sjell përparësi të shumta për klientët dhe bizneset në Kosovë.

“Ai lejon pagesa të përshtatshme dhe të menjëhershme në dyqane thjesht duke mbajtur telefonin ose orën e mençur Android pranë POS terminalit ku pranohen pagesat pa kontakt. Kjo eliminon nevojën për karta fizike ose para, duke reduktuar rreziqet dhe shqetësimet që lidhen me metodat tradicionale të pagesës”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Tutje Shoqata ka bërë të ditur se transaksionet e kryera përmes Google Pay mbrohen nga teknologjia e avancuar e enkriptimit të Google, duke siguruar një nivel të lartë mbrojtjeje për të dhënat personale dhe financiare.

“Google Wallet i bën pagesat në internet jashtëzakonisht të lehta duke përfunduar transaksionet në vetëm një minutë”, kanë deklaruar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Sa i përket bankave në Kosovë, Shoqata ka bërë të ditur se përfshirja e tyre në këtë shërbim është një çështje e brendshme e secilës bankë komerciale dhe lidhet me strategjitë e tyre individuale.

“Secila bankë vendos se a do të jetë pjesë e kësaj platforme dhe nëse do t’i bashkohet në të ardhmen. Momentalisht klientët e bankave NLB dhe ProCredit mund ta përdorin shërbimin Google Pay, duke shkarkuar aplikacionin Google Wallet nga Google Play Store dhe ta shtojnë kartën e tyre”, kanë deklaruar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Për ta përdorur shërbimin Google Pay, klientët duhet ta shkarkojnë aplikacionin Google Wallet nga Google Play Store dhe ta shtojnë kartën e tyre Visa. Përdoruesit do të jenë në gjendje t’i shtojnë kartelat e tyre të kreditit apo debitit në Google Wallet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-