Shkëputja e lidhjeve familjare dhe rreziku që sjell kjo

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.) se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin (savs): “O i Dërguari i Allahut, kam të afërm të cilët i vizitoj dhe ata më braktisin, jam i mirësjellshëm ndaj tyre e ata veprojnë të kundërtën, më merr malli për ata, e ata me injorojnë.“ Pejgamberi (savs) tha: Nëse je ashtu siç thua, atëherë ti do të kesh ndihmën dhe mbështetjen e Zotit.“ (Muslimi)

Është fakt se ka njerëz që kujdesen shumë për lidhjet e tyre familjare. Mirëpo, të afërmit e tyre nuk ua kthejnë kujdesin dhe brengosjen. Më shpesh rastet e tilla janë të njohura tek ata që i janë kthyer fesë, kurse të afërmit e tyre ende nuk e kanë bërë këtë. Duke dashur t’i bojkotojnë ata, në një mënyrë, ata e bëjnë zgjidhjen më të keqe, dmth. duke i injoruar dhe duke mos ua kthyer vizitën.

Meqenëse në ahiret secili njeri individualisht do të jetë përgjegjës për veprat e tij, Pejgamberi (savs), na këshillon që të mos reagojmë me masë të njëjtë ndaj mos kthimit të vizites, ose ndaj mos kujdesit apo ndaj mungesës së bamirësisë, por sipas rregullit kuranor: „Largoje të keqen me atë që është më së miri.“ (el-Mu’minun, 96)

Kujdesu për atë që të refuzon

Pejgamberi (savs), sahabiun nuk e këshilloi që kur bëhet fjalë për lidhjet familjare të ndiqte logjikën: ‘Pasi ai nuk erdhi tek unë, e as unë nuk do të shkoj tek ai.’ Përkundrazi, për të vendosur lidhje, dikush duhet ta bëjë hapin e parë. Për këtë arsye Pejgamberi (savs) në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibn Amr ibnul-As, thotë: „Nuk është mbajtje e lidhjeve familjare të përgjigjesh në vizitë, por mbajtja e lidhjeve familjare është lidhja e marrëdhënieve të prishura.“ (Buhariu)

Ukbe ibn Amir (r.a.) e ka pyetur Pejgamberin (savs): „O i Dërguari i Allahut, më trego cila është vepra më e mirë?“ Pejgamberi (savs), është përgjigjur: „O Ukbe, kujdes për atë që të refuzon, jepi atij që të mohon dhe fale atë që të ka bërë padrejtësi.“

Ebu Dherri (r.a.) ka thënë: „Muhamedi (savs) më ka porositur që t’i mbaj lidhjet familjare, edhe nëse ato nuk i mbajnë me mua, dhe ta them të vërtetën, edhe nëse është e hidhur.“ (Ahmed)

Të lidhen lidhjet e ndërprera

Në mesin e atyre që vërtetë i ruajnë familjare numërohet ai i cili vendos kontakte me familjen pasiqë ai kontakt ka humbur ose është ndërprerë për ndonjë arsye.

Sa shumë ka vëllezër e motra biologjik që nuk kontaktojnë dhe nuk vizitohen? Sa shumë ka marrëdhënie të ndërprera midis babait dhe djalit, nënës dhe vajzës, farefisit të ngushtë dhe të largët? Dhe atë shumë shpesh, që është edhe më pikëlluese, nuk kanë ndonjë arsye për ndërprerje të marrëdhënieve. Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të prishura midis vëllezërve, ato kryesisht janë, për shkak të kontesteve të pazgjidhura juridiko-pronësore. Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të prishura midis babait dhe djalit, nënës dhe vajzës, ato kryesisht janë për moskuptim të të moshuarve ndaj të rinjve dhe mosbindje të të rinjve ndaj të moshuarve. Në këto raste, mund të duhen vite që njerëzit të pajtohen.

Ky realitet në familjet tona na ndihmon ta kuptojmë hadithin e Pejgamberit (savs), në të cilin ai thotë se në rrugën e pajtimit të dy të grindurve, është e lejueshme edhe gënjeshtra. Prandaj, ai i cili lidh një marrëdhënie që është ndërprerë, llogaritet nga ata që në mënyrën më të duhur i mbajnë lidhjet familjare.

Në gjuhën arabe lidhja familjare (rahm) dhe emri i Allahut të Madhërishëm (Rrahman) kanë të njëjtën rrënjë. Thotë Zoti në një hadith Kudsij: ”Unë jam i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirploti. Emrin e farefisit, e kam marrë nga emri Im (rehim). Kush e ruan këtë lidhje (farefisninë) do të jetë në kujdesin Tim. Kush e prish atë, është privuar nga përkujdesi Im.”

Fakti që lidhja familjare është derivat i emrit të Allahut “Mëshirëploti“, na tregon për rëndësinë e saj tek Allahu i Lartësuar, ashtu siç na tregon se mëshira e Allahut do ta arrijë atë i cili e ruan dhe kujdeset për të. Prandaj, nëse doni që Mëshiruesi të ju mëshirojë, kërkoni mëshirën e Tij tek familja juaj, tek më të afërmit tuaj.

Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a.) se ka thënë: Ditën që Zoti krijoi gjithësinë, lidhja familjare u kap fort pas Arshit të Zotit dhe shprehu shqetësimin se njerëzit nuk do e respektojnë shenjtërinë e kësaj lidhjeje. Zoti i tha: „A je e kënaqur nëse e mbaj pranë atë që i ruan lidhjet e gjakut dhe e largoj nga mëshira Ime atë që i prish këto lidhje?!” Ajo tha: Po, unë do të jem e kënaqur, o Zoti im.” (Buhariu dhe Muslimi)

Është pyetur Pejgamberi (savs): „Cilat vepra çojnë në xhenet dhe largojnë nga xhehenemi?“Dhe ai është përgjigj: „Fale namazin dhe kujdesu për familjen (të afërmit).“

Qëndrimi ndaj atyre që injorojnë

Shumë shpesh shtrohet pyetja për qëndrimin e atyre që praktikojnë fenë ndaj të afërmve të tyre të cilët akoma hamenden ose janë zhytur në mëkat. A duhet të sillemi me ta si me të afërmit tonë, apo si me ata që fare nuk besojnë në Allahun. Përgjigja më e mirë për këtë pyetje është rasti i vajzës së Ebu Bakrit Esmes (r.a.), nëna e së cilës ende nuk ishte konvertuar në Islam. Esma ishte në dilemë, pasi ishte bërë muslimane, se a duhej të ishte e bindur ndaj nënës së saj, e cila ishte akoma politeiste, dhe a duhej t’i mbante me të lidhjet familjare. Pejgamberi (savs) e këshilloi, që të vazhdonte t’i bënte bamirësi nënës së saj dhe ta pranonte në shtëpi. (Buhariu dhe Muslimi)

Pra, muslimani është i obliguar tu bëjë bamirësi të afërmve të tij, madje edhe nëse ata nuk janë besimtarë. Allahu i Plotfuqishëm, thotë:

„Adhurone Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, sillnu mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve…” (en-Nisa ’, 36)

Ebu Talib ishte xhaxhai i Pejgamberit (savs), por nuk besonte në Zotin e botëve. Kjo nuk e pengonte Pejgamberin (savs) për t’i bërë bamirësi. Ebu Talibi ia kthente duke e mbrojtur atë nga armiqtë.

Qëndrimi i besimtarëve ndaj atyre që nuk e praktikojnë fenë e tyre përfshihet në ajetin vijues: „Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftojnë për shkak të fesë dhe nuk ju përzënë nga shtëpitë tuaja. Me të vërtetë Allahu i do të drejtët. (el-Mumtehine, 8)

Por kur bëhet fjalë për miqësinë me këta njerëz, atëherë nuk ka kompromis:

„O besimtarë! Mos e bëni mik baban tuaj dhe vëllezërit tuaj, nëse ata më tepër e duan mosbesimin se sa besimin. Ai që i bënë ata miq, është zullumqar.“ (et-Tevbe, 23)

Pra, ekziston një ndryshim midis bërjes së bamirësisë ndaj një mëkatari ose një jobesimtari dhe marrjes së tij për mik.

Pejgamberi (savs) u ka bërë mirë të gjithëve, por shumë u kujdes me kënd po shoqërohet.

Nëse duam ta përçojmë pasqyrën e saktë të Islamit dhe moralit Islam, duhet shumë të kujdesemi se si sillemi me njerëzit tjerë. Pejgamberi (savs) ka thënë: „Më i miri prej jush është ai që u bën mirë njerëzve.“ Pejgamberi (savs) nuk e reduktoi bamirësinë vetëm për besimtarët, por edhe për të gjithë njerëzit e tjerë, pa marrë parasysh se çfarë drejtimi kanë.

Duhet, gjithashtu, të theksohet se nëse familja, qofshin e afërt apo e largët, përpiqet ta çojë njeriun në mëkat, me pretekstin e kërkimit të bamirësisë, atëherë ata nuk duhet të dëgjohen dhe nuk duhet t’u bëhet bamirësi të cilën ata e konsiderojnë si bamirësi. Sepse, Pejgamberi (savs) ka thënë: „Nuk ka bindje ndaj krijesës, nëse me të bëhet mëkat  ndaj Krijuesit.“

ME ÇKA FORCOHET LIDHJA FAMILJARE?

1) Me bamirësi dhe me ndihma materiale (sadakë, zekat, sadekatul-fitr).

Në momentin kur objekt i ndihmës sonë materiale bëhet një i huaj para të afërmit tonë të pranishëm që është nevojtar, kjo është shenjë se tek ne është cilësia e atij që i ndërpret lidhjet familjare. Ndërkaq, kur i japim përparësi në dhënie një të afërmi nevojtar, kjo është shenjë se tek ne ekziston cilësia e atij që kujdeset për të afërmit e tij.

2) Duke u interesuar për familjen dhe gjendjen e të afërmve tonë.

Një bisedë telefonike, një e-mail me pyetje për shëndetin dhe gjendjen materiale, në gëzim dhe hidhërim, do ta hapë derën e ndjenjes të bukur dhe do ta regjistrojë pronarin e saj në listën e atyre që i ruajnë dhe kujdesen për familjet e tyre.

3) Duke i anashkaluar lëshimet dhe gabimet – duke falur.

Askush nuk i don njerëzit e njohur si dashakeqës dhe ata që regjistrojnë çdo gabim njerëzor. Nga ana tjetër, kudo është i mirëpritur ai që fal padrejtësinë që i është bërë atij ose lëshimin ose vizitën e pakthyer. Atij i hapen edhe dyert e zemrave edhe dyert e shtëpive. Allahu i Lartësuar thotë: „E nëse falni, është më mirë për ju.“

4) Duke i parandaluar ose eleminuar telashet që i shtypin ata.

Nëse rrezikohet jeta e të afërmit tonë, nëse i dëmtohet reputacioni, nëse dikush e sulmon pronën ose familjen e tij, ai që ka frikë nga Allahu i dhe mban lidhjet familjare do të dalë në mbrojtje të farefisit të tij. Le të kemi në mendje se, nëse jobesimtari arrin ta shkatërrojë familjen dhe solidaritetin familjar, atëherë ne jemi të ekspozuar ndaj shpërbërjes së shoqërisë sonë kompakte të bazuar në lidhje të forta familjare.

5) Me lutje (dua).

Pejgamberi (savs) ka thënë se lutja më e mirë e atij që lutet për vëllain e tij, është kur ai nuk di për të. Allahu e pranon lutjen e tillë.
– Le ta kujtojmë të afërmin tonë të largët dhe të afërm kur e mbarojmë namazin.
– Le ta kujtojmë vëllain dhe motrën tonë në 1/3 e fundit të natës, kur e falim namazin e natë, dhe t’i lutemi Allahut të Plotfuqishëm që t’i udhëzojë dhe t’ju dhurojë iman të fortë.
– Le ta kujtojmë xhaxhain, tezen, dajën dhe të gjithë të afërmit e tjerë, dhe tu ndihmojmë atyre, duke e lutur Allahun e Plotfuqishëm, që t’i mëshirojë dhe t’ua lehtësojë atyre përballimin e vështirësive të jetës.

6) Me buzëqeshje.

„Buzëqeshja ndaj vëllait musliman është sadakë.“ Kur të shkon ta vizitosh kushëririn tënd, ose kur ta takon në rrugë dhe e pyet për shëndetin e tij dhe të familjes së tij, mos ji i zymtë dhe i zemëruar, por ji i butë dhe me buzëqeshje plot disponim. Buzëqeshja jote, në shpirtin e kushëririt tënd, do të shkaktojë disponim dhe të mirëpritje.

7) Duke vizituar në raste të ndryshme.

Nuk keni nevojë për arsye të veçantë që ta vizitoni të afërmin tuaj. Vizita e të afërmit gjithmonë është e mirëseardhur, veçanërisht nëse qëllimi i saj është forcimi i marrëdhënieve ose lidhja e marrëdhënieve tashmë të ndërprera. Nuk është në rregull, që vizita tek të afërmit, të planifikohet, vetëm kur ka rast vdekje ose gëzimi.

8) Duke u dhënë selam.

Pejgamberi (savs) ka thënë: ‘Ruani dhe kujdesuni për lidhjet familjare, qoftë edhe me selam.“

PASOJAT E NDËRPRERJES SË LIDHJEVE FAMILJARE

1) Ndalimi i hyrjes në xhenet atij që i ndërpret lidhjet familjare.

Transmetohet se Xhubejr ibn Mut’im ka thënë, se e ka dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë: „Nuk do të hyjë në xhenet ai që i ndërpret lidhjet familjare.“ (Buhariu). Edhe nëse namazi, zekati, agjërimi, haxhi dhe ibadetet e tjera i ka të sakta, ai që e ka lënë pas dore familjen e tij nuk mund të hyjë në xhenet.

2) Ai që i ndërpret lidhjet familjare, do jetë i larguar nga mëshira e Allahut.

Të jesh larg mëshirës së Allahut është fatkeqësia dhe tragjedia më e madhe që mund t’i ndodhë robit të Allahut. Allahu i Lartësuar në hadithin-kudsij të lartpërmendur ka thënë: „Kush i ruan dhe kujdeset për lidhjet familjare do të jetë në kujdesin Tim. Kush e ndërpret atë (lidhje), është privuar nga përkujdesi Im.” (Buhariu dhe Muslimi).

3) Nuk do të pranohen veprat e atij që e lënë pas dore familjen.

Transmetohet nga Ebu Hurejere (r.a.), se ka thënë: „E kam dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë: „Veprat e njeriut ekspozohen në darkë të së premtes, kurse veprat e personit që i ndërpret lidhjet familjare nuk pranohen.“ (Ahmedi) /Akos.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-