Shija e Pendimit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

E pranoi Islamin një djalosh i bukur i medinasëve i cili quhej Tha’lebeh b. Abdurrahman. Ai vazhdimisht i shërbente të dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të) me dashuri të madhe dhe në çdo çast ishte pran tij.

Një ditë Profeti i Allahut e dërgoi këtë djalosh për një nevojë të tij, dhe ai si zakonisht me kënaqësi i përgjigjej fjalëve të dërguarit të Allahut, dhe rrugës kaloi pran derës së shtëpisë të një medinasi, ku dëgjoi zhurmën e pikave të ujit, kur ktheu kokën pa një grua lakuriq duke u pastruar në shtëpinë e saj dhe për një çast u tmerrua nga kjo ndodhi e shëmtuar, dhe frikësohej se do t’i zbriste vahji të dërguarit të Allahut dhe të lajmërohej për atë se çfarë veproi
Kështu ky djalosh u largua me shpejtësi nga Medina duke iu shmangur fytyrës së Profetit të Allahut, dhe u fsheh në disa kodra në mes Mekës dhe Medinës.
I dërguari i Allahut filloi ta ndjej mungesën e këtij djaloshi dhe vazhdimisht i pyeste shokët e tij nëse e kanë par Tha’leben por asnjeri nga ta nuk dinin gjë rreth tij, derisa pas katërdhjetë ditësh zbriti Xhibrili (paqja qoftë mbi të) te i dërguari i Allahut dhe i tha: O Muhamed Zoti yt të përshëndet me selam dhe të thotë se një njeri prej Umetit tënd gjendet në mesin e këtyre kodrave dhe kërkon mbrojtje prej Meje.
Atëherë i dërguari i Allahut e urdhëroi Omerin dhe Selmanin që të shkonin dhe ta merrnin Tha’leben dhe ua tregoi vendndodhjen e tij.
Kur dolën ata prej Medinës takuan një prej barinjve të Medinës i cili quhej Dhefafe dhe Omeri e pyeti atë: A di ndonjë gjë për një djalosh i cili gjendej diku rreth këtyre kodrave dhe quhet Tha’lebe. Ai i tha: Ndoshta e ke për qellim të arratisurin prej Xhehenemit. Omeri i tha: Ç’të beri ty të dish se ai është i arratisur prej Xhehenemit? Ai tha: Sepse kur të vjen mesnata ai del prej këtyre kodrave e kap me dy duar kokën e tij qan dhe thërret: Ah mjerë për mua, sikur t’më merrej shpirti im dhe të bashkohej me shpirtra, e trupi im të bashkohej me trupa, dhe mos të paraqitesha në Ditën e gjykimit para Zotit tim.
Omeri tha pikërisht këtë e kërkojmë.
Dhe u afruan afër vendndodhjes së tij dhe qëndruan aty, derisa erdhi mesnata dhe doli ky djalosh duke e mbajt kokën e tij e duke qar dhe thirrur: Ah mjerë për mua, sikur t’më merrej shpirti im dhe të bashkohej me shpirtra, e trupi im të bashkohej me trupa, dhe mos të paraqitesha në Ditën e gjykimit para Zotit tim.
Doli me shpejtësi Omeri dhe shtrëngoi këtë djalosh në krahët e tij.
E ky duke vajtuar i tha: O Omer a ka dijeni i dërguari i Allahut për mëkatet e mia?
Omeri i tha: Nuk e di, vetëm se ai mbrëmë të përmendi dhe na dërgoi mua dhe Selmanin të të kërkojmë.
Kurse Tha’lebe i tha: O Omer mos më fusni te i dërguari i Allahut përveç kur ai është në namaz.
Kur u afruan afër xhamisë në Medine i dërguari i Allahut gjendej në namaz dhe porsa e dëgjoi Tha’lebe zërin e Muhamedit a.s. ra për toke pa vetëdije.
Kur e përfundoi Profeti i Zotit namazin u drejtua kah Omeri e Selmani dhe i pyeti se çfarë u bë me Tha’leben. Ata dy i thanë: Ja ku është o i dërguar i Allahut. Muhamedi a.s. e lëvizi ngadalë Tha’leben dhe atij iu kthye vetëdija, dhe Profeti e pyeti: Çka të beri të mungosh kaq gjatë prej meje o djalosh?
Ai me zë të çjerrur tha: Mëkatet e mia o i dërguar i Allahut.
I tha: A nuk do të ta tregoj një ajet i cili i fshin mëkatet dhe gabimet.
Tha’lebe tha: Gjithsesi o i dërguari i Allahut.
Profeti a.s. i tha: thuaj: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr”! (el-bekareh 201)
Ai tha: Mëkati im është më i madh o i dërguar i Allahut.
Muhamedi a.s. i tha: Fjalët e Allahut janë më të madhërishme.
Pas kësaj e këshilloi të shkoj në shtëpinë e tij, dhe ky djalosh u dergj në shtëpinë e tij për tetë ditë.
Erdhi me nxitim Selmani r.a. te Muhamedi a.s. dhe i tha: O i dërguar i Allahut eja dhe shikoje Tha’leben se ai gati përfundoj nga gjendja e tij e mjerë.
I dërguari i Allahut tha: Ejani të shkojmë ta vizitojmë atë djalosh.
Kur hyri i dërguari i Allahut tek ai, e mori kokën e tij duke e ledhatuar dhe e vendosi në prehrin e tij, kurse djaloshi e largoi kokën e tij prej Muhamedit a.s.
Profeti e pyeti: Pse po e largon kokën prej prehrit tim.
Tha: Sepse koka ime është e mbushur me gjynahe.
Profeti e pyeti: Prej çka po ankon?
Djaloshi tha: Më duket sikur milingonat po zvarriten në mes ashtit e mishit dhe lëkurës time.
Profeti e kuptoi se ishin çastet e tij të fundit, andaj e pyeti: Çfarë dëshiron?
Djaloshi tha: Faljen prej Zotit tim.
Dhe zbriti Xhibrili te i dërguari i Allahut dhe i tha: ” O Muhamed Zoti yt të përshëndet me selam dhe thotë: Sikur ky robi im të më takoj me gjynahe sa madhësia e tokës, do ta takoj po me aq falje”
Kur e përgëzoi Muhamedi a.s. djaloshin me këto fjalë, ai me zë të dobët thirri njëherë ” Falënderimi i takon Allahut” dhe ndërroi jetë.
Profeti i Zotit i urdhëroi shokët e tij ta pastrojnë djaloshin dhe ta mbështjellin me qefin.
Kur shkoi i dërguari i Allahut për t’ia falur namazin e xhenazes këtij djaloshi ecte në maje të gishtave. Pasi e varrosen djaloshin, e pyetën të dërguarin e Allahut dhe i thanë: O i dërguar i Allahut të pamë duke ecur në maje të gishtave!
Tha: Pasha Atë i cili më dërgoi Profet me të vërtetën nuk mundesha t’i lëshoj këmbët e mia mbi tokë prej melaqeve të shumta të cilat kishin zbrit ta përcjellin xhenazen e këtij djaloshi. (1)

Disa dobi nga kjo ngjarje:

1. Dëshira e madhe e Sahabëve për ta shërbyer Muhamedin a.s. dhe të qëndrojnë afër tij.
2. Zbatimi i menjëhershëm i urdhrave të Profetit të Zotit, sa që tregohet se njëherë ibn Mesudi ishte duke ecur rrugës dhe e dëgjoi zërin e të Dërguarit brenda xhamisë duke thënë: Ulu, dhe ai menjëherë u ul në rrugë.
3. Ruajtja nga mëkatet, thotë Ibn Mesudi: “Në kohen e të dërguarit të Allahut gjynahet e vogla i konsideronim si kodra të mëdha mbi kokat tona dhe frikësoheshim se mos po na bien e na shtypin, kurse sot mëkatet e mëdha i konsiderojnë si një mushkonjë që kalon rreth fytyrës e nuk u lë përshtypje”. Por, kur binin në to shpejtonin në pendim.
4. Ai djalosh e pa një femër lakuriq për disa sekonda dhe dhimbja e madhe e këtij mëkati e shkatërroi. Por, mëkatet tona të shumta pse nuk i ndjejmë ! A thua zemrat tona janë droguar dhe nxirë nga këto mëkate dhe nuk po shijojmë as dhimbje e as gëzim.
5. Pendimi i tij me net të tëra dhe frika e paraqitjes para Allahut me këto mëkate, kurse ne mëkatet e ditës i harrojmë, e mëkatet e natës si kujtojmë, A thua para Krijuesit Fuqiplotë si do të qëndrojmë!!!
6. Dashuria e madhe e të dërguarit të Allahut për besimtarët, dhe dhembshuria e tij ndaj tyre. O Zot na mundëso shoqërimin e të dërguarit të Allahut në xhenetet e Tua.
7. Mëshira e Allahut dhe falja e Tij e pakufishme për të penduarit e sinqertë.
8. Prezenca e Melaqeve për ta nderuar besimtarin e devotshëm, me pjesëmarrjen e tyre në varrimin e tij.

(1) – Të Penduarit – Ibn Kudame el-Makdisi fq. 105-108

Përgatiti: Rijad Imeri

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-