Serbia mban të bllokuar rreth 300 kosovarë në kufirin me Kroacinë

Opoja.net Opoja.net Kosova

Rreth 300 qytetarë të Republikës së Kosovës kanë mbetur të bllokuar në kufirin Kroaci-Serbi. Një shtetas i Kosovës i cili po udhëton nga Kroacia në drejtim të Serbisë, e ka dërguar një video për RTKlive, ku shihen autobusët me targa të Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në Serbi.

Qytetarët kosovarë kanë treguar se ata kanë mbetur të bllokuar që 9 orë në pikën kufitare Kosovë – Serbi, teksa autoritetet serbe nuk po u japin sqarime pse po ndodhë diçka e tillë.

Ndërkohë, Sekretari i parë i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka konfirmuar se në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, që nga mesnata po mbahen të bllokuar disa autobus me targa dhe udhëtarë të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se një gjë të tillë autoritetet serbe po e bëjnë pa ndonjë arsye, por thjesht “në shenjë hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion”.

“Bllokimi i rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’. Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, ka shkruar Haxholli në Facebook./RTK/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-