Scholz dhe Stoltenberg hedhin poshtë mundësinë e përfshirjes së NATO-s në Ukrainë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Më herët këtë mbrëmje, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg riafirmuan vendimin e tyre për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës “për aq kohë sa është e nevojshme”, duke hedhur poshtë në të njëjtën kohë mundësinë e përfshirjes së NATO-s në luftë.

Ata theksuan gjithashtu rëndësinë që “Vladimir Putin të mos fitojë luftën”, ndërsa ju referuan nevojës për të mbrojtur tubacionet dhe kabllot e nëndetëseve, në kontekstin e një nisme gjermano-norvegjeze.

“Një gjë është e qartë: së bashku me aleatët tanë në NATO, Bashkimin Evropian dhe shumë më gjerë, ne do të mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e saj, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, politikisht, ekonomikisht, humanitarisht, por edhe me furnizimin me armët e nevojshme “- tha Scholz gjatë konferencës për shtyp me Stoltenberg.

“Rusia nuk duhet dhe nuk do ta fitojë këtë luftë. Është gjithashtu e qartë, dhe ne qëndrojmë pranë saj, se vetë NATO nuk do të bëhet palë në luftë”, shtoi kancelari, duke theksuar se një veprim i tillë “do të çonte në një përshkallëzim me pasoja të paparashikueshme për të gjithë planetin”.

“Putini po përdor dimrin si armë dhe ne nuk duhet ta lëmë atë të fitojë”.

“Në këtë moment kritik, mbështetja jonë e vazhdueshme për Ukrainën është parësore. NATO nuk merr pjesë në luftë. Nuk do ta lejojmë Putinin të na tërheqë në të”, u pajtua Jens Stoltenberg, duke shtuar se si pasojë e luftës, çmimet e energjisë dhe ushqimeve janë rritur, por “nëse Putini fiton, do të inkurajojë të gjithë liderët autoritarë të përdorin mjete të ngjashme, të cilat do të e bëjnë botën më të rrezikshme dhe të gjithë ne më të pambrojtur.”

Scholz iu referua edhe rëndësisë së NATO-s, e cila tha se u bë edhe më e qartë me luftën në Ukrainë.

“NATO është dhe mbetet garantuesi qendror i sigurisë sonë kolektive”, nënvizoi ai dhe shprehu besimin se deri në samitin e ardhshëm të Aleancës do t’i bashkohen Suedia dhe Finlanda.

Lidhur me qëndrimin e Gjermanisë brenda NATO-s, kancelari siguroi përkushtimin e vendit të tij ndaj çdo aleati dhe ndaj çdo kërcënimi, “pa nëse dhe por”, transmeton oranews.

Kancelari gjerman përsëriti sonte idenë e zhvilluar bashkë me qeverinë norvegjeze, për krijimin e një mekanizmi të posaçëm të NATO-s me objekt mbrojtjen e tubacioneve dhe kabllove nëndetëse.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-