SBASHK nis me veprime sindikale, paralajmëron protestë më 4 dhjetor

Opoja.net Opoja.net Kosova

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka njoftuar se më 04.12.2024 do të organizojë protestë.

Sindikata nuk ka përjashtuar as grevën në tërë sektorin e arsimit nëse, sipas saj, Qeveria dhe në veçanti Ministria e Arsimit nuk reflekton dhe nuk nis negocimin për kontratën e re kolektive.

“Ky do të jetë veprim i parë sindikal pas protestës së 1 majit të këtij viti dhe përpjekjeve të vazhdueshme për dialog, dhe do të vazhdohet edhe me veprime të tjera sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën në tërë sektorin e arsimit nëse Qeveria dhe në veçanti Ministria e Arsimit nuk reflekton dhe nuk nisë negocimin për Kontratën e re Kolektive të Arsimit, e cila është bazë që siguron respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka shtet në botë që pretendon të jetë demokratik e që nuk ka të nënshkruar Marrëveshjen Kolektive në nivel vendi dhe të Kontratave kolektive të sektorëve, por në Kosovë kjo po ndodh dhe prandaj duke respektuar vullnetin e anëtarësisë jemi të detyruar të nisim me veprime sindikale”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kjo protestë do të nisë para Ministrisë së Arsimit e pastaj do të marshohet drejt Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës.

“U vendos që veprimi i parë sindikal të jetë protesta më 4 dhjetor me pjesëmarrjen e kryetarëve dhe kryesive nga të gjitha shoqatat sindikale që nga çerdhet e deri në universitete, të anëtarëve të Këshillit Drejtues, të kryetarëve e kryesive të nivelit komunal sindikal e të universiteteve dhe të kryesisë qendrore duke qenë rreth 2000 protestues”- ka njoftuar SBASHK.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-