Ky takim vjen pasi Qeveria e Kosovës ua ka bllokuar pagat mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë nëpër komuna, që janë në grevë nga 25 gushti.
Pas Abdixhikut, ata pritet të takohen edhe me kreun e PDK-së, Rrahman Jasharajn.
Ndryshe, ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike, të cilët janë grevë që nga 25 gushti.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Kurse, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave.
Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, ka deklaruar se gjatë ditës (1 shtator) nuk ka pranuar ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutim të pagave.
“Jemi në pritje. Më 31 gusht kemi pranuar konfirmimin e [disa] listave për paga dhe i kemi ekzekutuar”, tha ai.
Thesari i Kosovës për çdo muaj dërgon listat e pagave tek organizatat buxhetore për të konfirmuar ndonjë ndryshim eventual.
“Ky është një proces i rregullt mujor dhe në fund të muajit finalizohet lista pasi të jetë konfirmuar nga organizata buxhetore përmes sistemit të pagave”, deklaroi Koca për REL.
Nga fundi i muajit gusht, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit. Ata kërkojnë 100 euro në muaj deri në miratimin e Projektligjit për paga.
Ekzekutivi, më 31 gusht ka bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj.
Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.