Rrahje mes barinjsh në Opojë – Lëndohen dy persona!

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Dragash, 24 shtator 2014 – Gjashtë persona janë përfshirë të martën në një rrahje, në afërsi të fshatit Buzez të Opojës së Dragashit, njoftoi Policia e Kosovës, duke shtuar se motivi i kësaj përleshjeje ka qenë çështje pronësie. “Pas një mosmarrëveshjeje rreth një kontesti pronësor, janë rrahur mes veti gjashtë persona, ku lëndime trupore kanë marrë dy prej tyre, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në komunikatën e policisë.
Radio SHARRI ka kontaktuar me njërin prej të lënduarve, i cili tha se krejt rastësisht kishte ndodhur në atë vend. “Rastëstësisht isha në atë rrugë dhe, kur pashë ngjarjen, ndalova automjetin për të dalë jashtë. Por, dikush me goditi befas dhe ma lëndoi dorën”, tha Hafiz Rifaj, duke shprehur revoltën e tij ndaj policisë, për të cilën tha se ishte e njoftuar një orë përpara se të ndodhte përleshja fizike. “Mungesa e reagimit të policisë në kohë, rezultoi me përleshjen fizike, ku mbeti i lënduar dukshëm bariu nga Bellobradi, i cili ndodhej në atarin tonë. Konstatoj se pala sulmuese ka lidhje të ngushta me policinë dhe kjo ka sjellë vonesën e këtyre të fundit”, deklaroi për Radio SHARRI-n, Hafiz Rifaj, i cili edhe vetë kishte marrë lëndime në dorë.
Shkak i kësaj zënke ka qenë mosmarrëveshja ndërmjet dy barinjve, njëri nga Bellobradi dhe Tjetri nga fshati Kosavë, rreth asaj se deri ku është kufiri i secilës palë për t’i kullotur delet. Sipas Rifajt, i cili është edhe përfaqësues i kryesisë së Bellobradit, bariu nga ky fshat që mori lëndime, Hamit Baxhaku, ndodhej në atarin e vet. “Ka qenë bariu nga Kosava që është futur në zonën tonë dhe, kur atij i është kërkuar që mos të futet në thellësi të trevës sonë, ai i bën telefon pronarëve të deleve, të cilët vijnë saora me automjet dhe, pa një e pa dy, e sulmojnë bariun tonë, të cilit i shkaktojnë lëndime të mëdha trupore, por edhe mua më godasin në dorë”, tregon Rifaj./Radio-sharri.info/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-