Lumi i Pllavës me degët e veta formon sistemin më të madh lumor dhe përfshin rreth 63 % të territorit të komunës. Dragashi mund të ndahet në nën-pellgjet lumore kryesore: me lumin Restelicë, lumin Plavë (në rajonin e Opojës, duke përfshirë pjesët lindore të zonës së Malit të Sharrit në zonën e Dragashit), dhe të pellgut ujor të Lepencit (në pjesën jugore të komunës). Një sistem i katërt shtrihet rreth Breznës, ku zona rrjedh përmes një strukture nëntokësore karstike në zonën e Prizrenit.
Dy nga këto rrjedha kryesore të ujit i përkasin pellgut të madh të Drinit të Bardhë që përmes Shqipërisë derdhet në Detin Adriatik: Lumi Plavë me degët e tij në veri, dhe lumi Restelicë që i bashkohet apo derdhet në lumin Plavë. Sistemi i tretë kryesor ujor – pellgu i lumit Lepenc – shtrihet në jug dhe kryesisht derdhet nga IRJ e Maqedonisë në Detin Egje. Uji është një burim i fuqishëm natyral në Dragash, me burime të shumta të ujit nga altitudat më të ulëta e deri në zonat më të larta mbi 2500m, dhe në mesatare ka 1130mm/m2 të reshura në vit. Densiteti mesatar për komunën është 2.1 km të rrjedhave të ujit për një km² të sipërfaqes tokësore, me 0.4 km të rrjedhave të mëdha permanente të ujit dhe 1.7 km të atyre më të vogla apo të përkohshme. Përafërsisht 76% (700km) e rrjedhave të ujit të Komunës së Dragashit gjenden në malet e rajonit të Gorës, ku luginat e lumit dhe liqenet e formuara nga shkrirjet e akullit kontribuojnë në numrin e madh të kanaleve të ujit. Rreth 24% e kanaleve ujore të Dragashit gjenden në Opojë (215km). Shumica e këtyre rrjedhave të ujit janë të vogla apo të përkohshme, me një gjatësi të përgjithshme prej gati 740 km në tërë komunën. Rrjedhat e mëdha të ujit në Dragash janë përafërsisht 170 km.

Territori i Komunës së Dragashit ka një rrjet mjaft të dendur me rrjedha ujore. Pos lumenjve kryesorë, nëpër territorin e kësaj komune rrjedhin edhe shumë lumenj më të vegjël, përrenj dhe përroska që e begatojnë edhe më shumë hidrografinë e kësaj komune.

Komuna e Dragashit është një territor mjaft i pasur edhe me liqene. Në malet e kësaj komune ekziston një numër i madh i liqeneve që janë krijuar në lartësi të mëdha mbidetare nga cirqet dhe quhen ‘Sytë e maleve’. Prej liqeneve më të dalluara në këtë komunë janë Liqeni i Breznës në pjesën e Opojës dhe dy liqene në pjesën e Gorës ( ai
i Shutmanit dhe i Defos).

Një nga faktorët kryesorë të natyrës që ka ndikuar në vendosjen e vendbanimeve dhe zhvillimin e popullsisë, pothuaj gjatë gjithë historisë së njerëzimit ka qenë padyshim edhe uji. Edhe në komunën e Dragashit, ky faktor ka luajtur një rol të rëndësishëm. Pos rrjedhave të shumta ujore dhe numrit të madh të liqeneve që ka kjo komunë, në territorin e saj gjenden edhe shumë burime ujore nga të cilat një pjesë e vendbanimeve furnizohen me ujë. Resurset ujore, pos shfrytëzimit për ujë të pijes nga popullata e kësaj ane, ato janë shfrytëzuar edhe për vënie në lëvizje të mullinjve
të dikurshëm dhe disa sharrave. Është me rëndësi të theksohet se në lumin e Brodit, që nga viti 1956 është ndërtuar hidrocentrali “Dikanca”. Ky hidrocentral edhe pse ka funksionuar me kapacitet të vogël, megjithatë kishte një rol të veçantë për faktin se kishte ndikuar në elektrifikimin e kësaj komune qysh nga viti 1965.

Rrjeti i pasur hidrografik i Komunës së Dragashit është një bazë e mirë sidomos për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe gjatë hartimit të strategjive komunale zhvillimore planifikohet që në të ardhmen këto resurse ujore të
shfrytëzohen në kapacitet më të madh për prodhimin e energjisë.
Faktori hidrografik ka luajtur një rol të konsiderueshëm edhe në vendosjen evendbanimeve dhe popullsisë së Komunës së Dragashit. Uji ka qenë faktor i rëndësishëm, jo vetëm në vendosjen e vendbanimit, por edhe në zhvillimin dhe perspektivën e tij. Të gjitha vendbanimet e Komunës së Dragashit janë të vendosura kryesisht pranë rrjedhave ujore, liqeneve apo burimeve të ndryshme. Në këtë aspekt, është analizuar distanca e vendbanimeve të komunës nga tre lumenjtë kryesor: Lartësia e vendbanimeve nga lumi i Pllavës, Brodit dhe Restelicës. Është me rëndësi të përmendët fakti se gati të gjitha vendbanimet e kësaj komune janë të vendosura pranë rrjedhave lumore. Siç pamë edhe nga harta e rrjetit hidrografik të komunës, secili nga vendbanimet e komunës ka një lumë më të vogël apo më të madh që kalon afër vendbanimit apo edhe përmes tij. Por analiza e largësisë së vendbanimeve nga tre lumenjtë më të madhej tregon, jo vetëm për rolin e ujit, por edhe rolin e tokës në vendosjen dhe zhvillimin e vendbanimeve. Kjo nga fakti se këta lumenj kanë krijuar edhe rrafshinat aluviale të përshtatshme edhe për zhvillimin e aktiviteteve tjera bujqësore.

Përmes kësaj harte janë paraqitur largësitë e vendbanimeve të Komunës së Dragashit nga tre lumenjtë kryesorë. Siç shihet edhe nga harta, pjesa më e madhe e vendbanimeve janë të vendosura më së shumti 1 km larg nga rrjedhat kryesore ujore të komunës.

Distanca mesatare e vendbanimeve të Komunës së Dragashit nga tre lumenjtë kryesorë është 1.65 km. Rreth gjysma e vendbanimeve dhe popullsisë së Komunës së Dragashit është e vendosur në distancë shumë të afërt (deri 1 km) pranë lumenjve kryesorë. Në distancën deri në 2 km nga lumenjtë kryesorë të Komunës janë të vendosura 25 vendbanime apo rreth 70 % e tyre. Rreth 30 % e vendbanimeve dhe e popullsisë së komunës kanë distancë prej 2 deri në 5 km, ndërsa më larë se 5 km nga lumenjtë kryesorë nuk gjendet asnjë vendbanim.
Bazuar në shtrirjen hapësinore të vendbanimeve dhe popullsisë së Komunës së Dragashit në raport me rrjedhat kryesore ujore, mund ta konstatojmë rolin dhe rëndësinë e faktorit hidrogafik në vendosjen e vendbanimeve dhe zhvillimin e tyre. Siç e përmendëm edhe më lartë, këto janë distancat e vendbanimeve nga lumenjtë kryesorë të Komunës, por nëse e shikojmë afërsinë e vendbanimeve me burimet ujore në përgjithësi atëherë del se të gjitha vendbanimet janë të vendosura pranë një lumi, liqeni apo burimi ujor.
(Opoja.net)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.