Goli pas 23 sekondash nuk i ka mjaftuar Shqipërisë në ndeshjen me kampionen në fuqi të Evropës, Italinë.
Të shtunën mbrëma në Dortmund, në atmosferë të shkëlqyer të krijuar nga rreth 50 mijë tifozë shqiptarë, kuqezinjtë pësuan me rezultatin 2:1. Ishte ndeshja e parë për Shqipërinë në Euro 2024, përkatësisht në Grupin B.
Ndeshja nisi shumë mirë për Kombëtaren shqiptare. Pas një gabimi të mbrojtjes italiane, topi erdhi në zonë te Nedim Bajrami. Ai goditi fuqishëm dhe saktë për të dërguar topin në rrjetë. Goli u shënuar pas vetëm 23 sekondash dhe kështu Bajrami është rekordmen i ri sa i takon golit më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane.
Goli i pranuar herët dhe presioni nga tribunat nuk hutoi italianët. Një pakujdesi në mbrojtjen shqiptare solli golin e barazimit, 1:1, në minutën e 11-të. Alessandro Bastoni gjuajti saktë me kokë.
Nuk vonoi shumë dhe Italia shënoi edhe golin e fitores. Nicolo Barella ishte realizator për 2:1 në minutën e 16-të.
Dominimi italian vazhdoi deri në fund të pjesës së parë, ndërsa u godit edhe shtylla, pas topit të prekur nga Thomas Strakosha. Gardiani shqiptar e pati edhe një pritje tjetër vendimtare.
Pjesa e dytë ishte më e barabartë. Pas minutave të parë ku dominimi i Italisë vazhdoi, kuqezinjtë nisën të jenë më kërkues. Por pa krijuar shumë, kryesisht për shkak të lojës më të vendosur të Italisë.
Rastin më të mirë e kishte Rey Manaj. Në minutën e 90-të, Manaj pranoi bukur një top dhe goditi drejt portës. Topi megjithatë preku portierin italian Gianluigi Donnarumma dhe përfundoi jashtë.
Italia bëri hap të rëndësishëm drejt kalimit të grupit, ndërsa Shqipëria duhet të kërkojë më shumë në dy ndeshjet e ardhshme. Në fushë ndeshja u humb, por në tribuna fitorja ishte bindëse për shqiptarët.
Më 19 qershor, Kroacia e Shqipëria takohen nga ora 15:00 në Hamburg.
Ndërkohë më 20 qershor, Spanja e Italia luajnë në Gelsenkirchen. Më herët të shtunën, Spanja fitoi 3:0 ndaj Kroacisë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.