Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas incidentit në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës, shkruan Demokracia.com.
Tifozeritë e dyja skuadrave kanë hedhur mjete piroteknike, shpërthyese, e gjësende në drejtim të njëra tjetrës, vetëm pak pasi përfundoi pjesa e parë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Rama në Facebook ka shkruar se dhuna në atë takim është i papranueshëm dhe se nuk ka vend në kryeqytet dhe asnjë vend tjetër.
“Dhuna e shfaqur mbrëmë në ndeshjen KB Prishtina – KB Trepça është e papranueshme dhe nuk ka vend në kryeqytet, e askund tjetër. Jemi të lumtur që KB Prishtina fitoi superkupën mbrëmë, mirëpo nga dhuna e shfaqur u zbeh edhe gëzimi për fitoren e merituar. Sporti ka të bëjë me shpirtin garues në frymë tolerance e respekti reciprok, prandaj u bëj thirrje edhe tifozëve që ta kultivojnë një frymë të tillë”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij.
Pas incidentit në sallë, Policia e Kosovës mori vendim të zbraz palestrën në mënyrë që të zhvillohet pjesa e dytë.
Në fund, Prishtina triumfoi për herë të tetë në histori në Superkupën e Kosovës në basketboll./Demokracia.com/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.