Fjalimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Martyt është një veprim sa i duhur po ashtu edhe i nevojshëm në planin diplomatik dhe më gjerë, tha profesori Fatmir Qollaku.
Ai tha se opinioni i gjerë duhet ta kuptojë se po bëhet fjalë për një fushatë kundër krerëve të UÇK-së.
“Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për mua është e arsyeshme meqë bëhet fjalë për një projekt akuzues të krerëve të UÇK-së, projekt i padrejtë dhe po vërtetohet edhe me kalimin e kohës dhe po shihet se gjykata speciale ne këtë rast nuk ka prova valide për t’i shpallur të fajshëm krerët e UÇK-së. Prandaj zëri i Edi Ramës kundër rezolutës së Dick Martyt është një veprim edhe i duhur dhe i nevojshëm në planin diplomatik dhe më gjerë”.
“Mendoj që do të ketë interferime pozitive dhe opinioni i gjerë ta kuptojë një herë e përgjithmonë se bëhej fjalë për një fushate kundër krerëve te UÇK dhe jo për prova valide mbi të cilat prova do të gjykoheshin krerët e UÇK për diçka që iu është atribuuar padrejtësisht”, tha Qollaku.
Më 12 tetor, Rama do t’i drejtohet Këshillit të Evropës, për raportin e Dick Marty, në lidhje akuzat e trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty për trafik organesh nga drejtuesit e UÇK. Rezoluta kundër Dick Marty më pas iu përcoll Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës duke i kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare që të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për udhëheqësit e UÇK-së.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.