Zv.ministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, në një konferencë për shtyp, njoftoi se ky vendim ka për qëllim të ulë çmimet e produkteve bazë dhe të mbrojë konsumatorët nga rritja e paarsyeshme e çmimeve.
Sipas vendimit të ri, marzhi i fitimit bruto për produktet bazë si qumësht, bukë, miell, vezë, vaj gatimi dhe kos është kufizuar në 5%. Për 55 ushqime të përpunuara, mish, sheqer, gjalpë, fasule, oriz dhe makarona, kufiri i fitimit është 10%, ndërsa për perime, produkte për fëmijë, pelena dhe sapun, kufiri është 15%.
Risteski theksoi se analizat kanë treguar se shitësit me pakicë dhe shumicë kanë llogaritur një marzh fitimi bruto prej 20-25% për produktet bazë dhe 20-50% në tregtinë me shumicë. Ky vendim synon të sjellë një rregull në treg dhe të mbrojë konsumatorët nga fitimet e tepërta.
Përveç kësaj, Qeveria ka marrë edhe një vendim të dytë që përcakton çmimet më të larta, pra ato çmime që kanë qenë në fuqi më 1 shkurt 2025. Të dy vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.