QËNDRIMI I DIJETARËVE RRETH FESTIMIT TË DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT S.A.W.S.

Opoja.net Opoja.net Opinione

Në fenë islame janë dy festa: festa e fiter bajramit dhe festa e kurban bajramit, ndërsa sa u përket festimeve të ditëve dhe datave të ndryshme historike si p.sh. festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. është vepër e lejuar por nuk është i obliguar. Mu për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. dëgjojmë shumë kundërshtime nga disa jo të thelluar në shkencat islame. Pa dyshim se ne sot jetojmë në një kohë ku islami sulmohet vazhdimisht. Fatkeqësisht ka shumë pak prej muslimanëve që mund tu kundërvihen sulmeve me argumente teologjike. Ne sot jetojmë në një injorancë bashkëkohore ku e vërteta është si një lloj plaçke që shitet dhe e blen ai që më së shumti ka influenc materjale.

Përveç problemeve tjera që kanë muslimanët sot, më e keqja është se ata vuajnë edhe nga disa veprime dhe sjellje jo islame që i veprojnë disa pjesëtarë të fesë Islame, e të cilët në emër të asaj se vetëm ata po e kuptojnë Kur’anin dhe sunnetin e Pejgamberit s.a.w.s. dhe kështu po i japin vetës të drejtë që myslimanët t’i etiketojnë dhe akuzojnë duke u thënë: “mushrika”, “bidatxhinje”, “kafira”…. Më e rrezikshmja është se të tillë ka edhe në mesin tonë të cilët i ofendojnë dhe i akuzojnë ata të cilët nuk mendojnë siç duan ata duke u thënë se ata janë bidatxhinjë dhe se me ta nuk duhet të bisedojmë, se ata nuk veprojnë me sunnetin e Pejgamberit s.a.w.s….. Po ashtu të tillët pretendojnë se vetëm ata e kuptojnë dhe e gjallërojnë sunnetin e Pejgamberit s.a.w.s ndërsa tjerët e shfarosin sunnetin e Pejgamberit s.a.w.s…… Vërtetë ajo që më së shumti po u duket e pamundur disave është ajo se shejhul Islami Ibn Tejmijje r.a. qëndron me atë se festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. është vepër e lejuar dhe se ai i cili e feston ka shpërblim. Ata që dyshojnë në qëndrimin e Ibn Tejmijjes r.a. nuk e kundërshtojnë me argumente por me ofendime dhe me akuzen duke thënë “se kjo është rrenë”. Ne nuk mërzitemi për këto ofendime dhe akuza por neve na intereson argumenti dhe mënyra e argumentimit se si e kanë shprehur dhe argumentuar dijetarët e mëdhenj islam. Andaj duke parë se dikush mundohet të hedh dyshime në mesin e xhematit tonë se shumë çështje ata që i veprojnë janë bidate, e njëra prej atyre çështjeve është edhe festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. që sipas tyre është bidat dhe vepër e pa pranuar në islam. Duke i parë këto bindje jo reale e ndjeva si obligim që një gjë të tillë ta shpjegojë me anë të fakteve dhe qëndrimeve të dijetarëve Islam, e jo sipas bindjes time . Po ashtu ajo që më dha kurajë që të shkruaj këtë temë është se dijetari dhe shejhul Islami Ibn Tejmije r.a. është i mendimit se lejohet festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s.

Para se të hyjë në temë dua t’i potencojë tri gjëra që kanë të bëjnë me ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s.:
1. Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. është vepër e lejuar, dhe se lejohet tubimi i besimtarëve për të dëgjuar historinë dhe poezitë që e lavdërojnë Pejgamberin s.a.w.s. , po ashtu lejohet shpërndarja e ushqimit dhe futja e haresë dhe gëzimit në mesin e besimtarëve për shkak të ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s.
2. Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. nuk duhet të bëhet vetëm në ditën e lindjes por duhet të përkujtohet Pejgamberi s.a.w.s. në çdo ditë dhe në çdo moment ngase ai është drita dhe modeli me i mirë për ne.
3. Që dita e festimit të ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. të shfrytëzohet për tu shpjeguar dhe përkujtuar besimtarëve jetën dhe veprën e Pejgamberit s.a.w.s.
Dua tu përmendi atë se gjatë shtjellimit të kësaj teme nuk kam shprehur mendimet e mia personale por vetëm i kam përmendur mendimet e dijetarëve të mëdhenj mysliman dhe qëndrimet e tyre për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s.
Çka synohet me festimin e ditëlindjes?
Me festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. synohet vetë Islami, ngase Pejgamberi s.a.w.s. është shembull praktik i Islamit. Mu për këtë dijetari i mirënjohur bashkëkohor Muhammed Muteveli Sha’ravi ne librin e tij “Maidetul Fikril Islamijj” faqe 295 thotë: “Kur i gjithë njerëzimi janë gëzuar me ardhjen e Pejgamberit s.a.w.s. në këtë botë, po ashtu janë gëzuar të gjitha krijesat, bimët, xhinët, bota inorganike për lindjen e Pejgamberit s.a.w.s., pse vallë ne te mos gëzohemi dhe te festojmë ditëlindjen e tij”.
Argumentet të cilat konfirmojn se festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. është veper e lejuar të zbatohet (xhaiz)!
Përmendet në “Sahihul Buhari” se Pejgamberi s.a.w.s. ka përmendur se Ebu Lehebit për çdo ditë të hënë i lehtësonte dënimi i zjarrit te xhehenemit për arsye se nga gëzimi e kishte liruar robëreshën e tij e cila e kishte informuar për lindjen e Muhammedit s.a.w.s. (Kitabun Nikah) .
Disa nga dijetarët mendojnë se festimi dhe gëzimi për ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s. është qartësuar edhe nga ajeti 58 i kaptinës Junus: “Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen…”. Sipas komentatorëve te Kur’anit mirësia me e madhe është dërgimi i Pejgamberit s.a.w.s. dhe rahmet për çdo send, pastaj gëzimi për ardhjen e Pejgamberit s.a.w.s. është gjë e porositur.
Se lejohet të festohet ditëlindja e Pejgamberit s.a.w.s. disa nga dijetarët e mbështesin mendimin e tyre në hadithin e transmetuar nga Muslimi se kur është pyetur Pejgamberi s.a.w.s. pse agjëron ditën e hënë dhe te enjte ai është përgjigjur duke thënë: “ Se ne këtë dite (e hënë) kam lindur dhe mu ne këtë dite ka filluar të me vije shpallja”. Po ashtu këta përmendin atë se Pejgamberi s.a.w.s. ka pre kurban për ditëlindjen e tij.
Qëndrimi i dijetarit dhe shejhul islamit Ibn Tejmije r.a. për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s.!
Dijetari i madh dhe shejhul Islami Ibn Tejmije r.a. ne librin e tij “Iktidau-s-siratil Mustekim Muhalefetu As’habil Xhehim” shprehet:
(فتعظيم المولد و اتخاذه موسما قد يفعله بعض الناس و يكون لهم فيه أجر عظيم
لحسن قصدهم و تعظيمهم لرسول الله صلى الله عليه و سلم)
“Të respektuarit e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. dhe konsiderimi i ditëlindjes së tij si festë, që disa nga njerëzit e bëjnë është vepër e cila do te shpërblehet për shkak të qëllimit të mirë të tyre dhe respektimit e dashurisë ndaj Pejgamberit s.a.w.s.”
Do të kishim pyetur vallë Ibn Tejmije r.a. me ketë veprim e ka propaganduar bidatin e tillë?! Jo, ai nuk ka mjaftua vetëm me atë se lejohet festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. por u shpreh duke thënë se ata të cilët e festojnë për respekt dhe dashuri ndaj Pejgamberit s.a.w.s. do të shpërblehen nga Allahu xh.sh.
Kur lexojmë librin “Mexhmeul Fetava” pjesa 22 faqe 523 do të shohim se Ibn Tejmije r.a është pyetur se çfarë mendon për ata njerëz që tubohen lexojnë Kur’an dhe e përmendin Allahun xh.sh. vetëm e vetëm për tu afruar te Allahu xh.sh.? Është përgjigjur : “Elhamdulilah, tubimi për të lexuar Kur’anin dhe të bërit dua është vepër e pëlqyer dhe e mire” .
Qëndrimi i dijetarëve të njohur rreth festimit të ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s.
1. Imam Sehaviju r.a. thotë: “ Edhe po qe se në këtë nuk ka kurrfarë dobi përveç asaj që shejtani do të hidhërohet dhe besimtarët do të gezohen do të mjaftonte (për tu festuar ditëlindja e Pejgamberit s.a.w.s.)” .
2. Dijetari i madh El-Kastalaniju thotë: “Vazhdimisht muslimanët pas tri gjeneratave e festojnë ditëlindjen e Muhammedit s.a.w.s. duke dhënë sadaka të ndryshme, duke shfaqur gëzim, duke i shtuar veprat e mira, duke lexuar historikun e lindjes se Pejgamberit s.a.w.s., dhe mu për ketë ata kane begati dhe bereqet” .
3. Dijetari Ebu Shame r.a. mësuesi i imam Neveviut r.a. thotë: “Më e mira risi që është paraqit ne kohen tone, është ajo çka veprohet çdo vit për ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s. duke u dhënë sadaka dhe duke u shprehur gëzimi për lindjen e Muhammedit s.a.w.s. dhe respektin ndaj tij duke e falënderuar Zotin e gjithësisë që e ka dërguar Muhammedin s.a.w.s. si mëshirë për mbarë botët” .
4. Komentatori i Sahihut të Buharis, dijetari i madh dhe shejhul Islami Ibn Haxher el-Askalaniju , është pyetur për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. e i cili është përgjigjur kështu: “Në parim kjo vepër është risi e cila nuk është zbatuar nga tri gjeneratat e para (sahabet, tabi’inet dhe tebei tabi’inet), mirëpo ne këtë veprim (festim) ka gjera te mira, dhe për këtë mund të konkludojmë se është risi e mire. Këtë e mbështes në atë që përmendet në Buhari dhe Muslim se Pejgamberi s.a.w.s. kur ka arritur në Medine i ka parë Jehudit duke agjëruar ditët e ashures, dhe i ka pyetur ata perse agjerojnë ? Ata i kanë thënë: “Kjo është dita kur Allahu e ka përmbysur Firaonin, e ka shpëtuar Musaun, dhe mu për këtë agjërojmë si falënderim ndaj Allahut. E Pejgamberi s.a.w.s. u tha: “Ne jemi më meritor të agjërojmë për Musaun se sa ju!
5. Dijetari dhe imami bin I’jadi r.a. thotë: “Festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. e konsiderojë si festë për muslimanet, festë në të cilën muslimanet shprehin gëzimin dhe harenë e tyre për ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s. Këtë festë e konsiderojë të lejuar kur bëjë kijas (analogji) në festat tjera”.
6. Dijetari i madh imam Sujutiu mendon se festimi i ditëlindjes është gjë e lejuar dhe e mbështetet mendimin e tij, në transmetimin e Behjekiut nga Enesi r.a. i cili ka treguar se Pejgamberi s.a.w.s. pasi është bërë pejgamber ka pre kurban për ditëlindjen e tij. Dihet se gjyshi i Pejgamberit s.a.w.s. ka pre kurban ditën e shtat te lindjes së Pejgamberit s.a.w.s. dhe se nuk ka nevojë të ripërseritet një gjë e tillë. Mendohet se ajo që e ka shtyrë Pejgamberin s.a.w.s. të prêt kurban për ditëlindjen e tij ka qënë një lloj falënderimi ndaj Krijuesit të tij, e të cilin e dërgoj se mëshirë për gjithë botët dhe respekt për ummetin e tij, i cili po ashtu i dërgonte salavate vetës së tij. Rekomandohet për ne si musliman t’i shprehim falënderimet tona ndaj Allahut xh.sh. për ditëlindjen e Pejgamberit të Tij, duke u tubuar vëllezërit musliman, duke dhëne sadaka e të ngjashme .
7. Dijetari i mirënjohur Hafidh Shemsu Din bin Nasirudin ed-Dimeshkiju r.a. thotë: “Është vërtetuar me transmetim të vërtetë se Ebu Lehebit i lehtësohet dënimi në xhenhennem ditën e hënë vetëm e vetëm pse e ka liruar robëreshën e tij e cila e kishte përgëzuar për ditëlindjen e Muhammedit s.a.w.s.” Dhe mu për këtë ky dijetarë thurë këtë poezi:
Kur këtij pabesimtarit i vije lehtësimi,
pasi i tilli është i mallkuar dhe i dënuar me xhehennem përgjithmonë
sa here që i vije dita e hëne
i lehtësohet dënimi për shkak të gëzimit që e ka shpreh për Ahmedin
çka mendohet për robin i cili gjate tërë jetës së tij
ka qenë i gëzuar për Ahmedin, dhe ka vdekur me iman .
8. Dijetari i mirënjohur dhe ish myftiu i Mekkes Ahmed Zejd Dahlani (ka vdekur me 1066 h.) thotë: “Tradita e njerëzve të cilët e festojnë ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s. për respekt dhe nderim ndaj Pejgamberit s.a.w.s. është një vepër e pranuar tek shumica e dijetarëve myslimanë dhe se është një vepër që e kanë vepruar shumë dijetarë të këtij ummeti” .
9. Dijetari dhe muxhtehidi i mirënjohur Imam Shewkanijju ka thënë: “Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. është vepër që lejohet të zbatohet”.
10. Transmeton Ibn Betuta historian i njohur i shekullit VIII hixhrijj i cili përmend këtë: “ Pas çdo namazi të xhumas dhe në ditën e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. hapeshin dyert e Qabes nga rojet e saj dhe se kadiu i Mekkes Nexhmuddin bin El-Imam Muhjjiddin Taberiu shpërndante ushqim për të gjithë njerëzit në Mekke.”
Librat e shkruara nga dijetaret e hershem islam për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s.
1. Ibn Nasirid-Din ed-Dimeshkiju ka shkruar dy libra:
a. EL-MEWRIDU-SAVIJU FI MEWLIDIL HADIJJI
b. XHAMIUL ATHARI FI MEWLIDIL MUHTARI
2. El-Irakiju ka shkruar librin: ELMEWRIDUL HENIJJU FIL MEWLIDI SENIJJI.
3. Imam Sehaviju ka shkruar librin: EL-FAHRUL ULEVIJJU FIL MEWLIDI NEBEVIJJI.
4. Imam Sujutiu r.a. ka shkruar librin: HUSNUL MAKSADI FI AMELIL MEWLIDI.
5. Ibn Kethiri r.a. e ka te shkruar nje libër për ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s.
A është çdo risi (bidat) që të shpie në xhehennem?!!!
Shumë e vërtetë është se Pejgamberi s.a.w.s. ka thënë: “Çdo risi është që të shpije në humbje, e çdo humbje në zjarr”. Në këtë rast fjala “كل” (çdo), është shprehje që argumenton për kuptim të përgjithshëm të tekstit (العموم), mirëpo në këtë rast kjo shprehje është në kuptim të përgjithshëm që pranon specifikimi (عام مخصوص),e që më këtë nënkuptohet se çdo risi nuk mund të thuhet se është humbje që të shpie në xhehennem. Po ashtu kuptimin e fjalës “كل” (çdo) e gjejmë në Kur’an në kuptim të përgjithshëm që pranon specifikimin, si f.v. ajeti : “(Era) rrënon çdo send me lejen e Zotit të saj…” (Ahkaf:25). Qartë dihet se era nuk e shkatërron çdo gjë, por disa gjëra i shkatërron. Ky lloj i specifikimit të kuptimit të përgjithshëm në shkencën e Usuli Fikhut njihet si (الخاص المنفصل من الحس). Për atë se fjala “كل” (çdo) në këtë hadith e ka kuptimin e përgjithshëm të specifikuar mendon edhe Imam Neveviju komentuesi i sahihul Muslimit. Po ashtu ky dijetarë mendon se risit (bidatet) mund të jenë të refuzuara në sheriatin islam dhe mund të jenë të pranuara.
Transmetohet se Ibn Haxheri r.a. komentuesi i sahihut te Buharit ka thënë: “Çdo gjë që nuk është vepruar në kohën e Pejgamberit s.a.w.s. konsiderohet risi (bidat), mirëpo disa prej tyre janë të urrejtuara dhe të pa pranuara në sheriat, e disa prej tyre janë të pëlqyera dhe të pranuara në sheriat”.
Transmeton Ebu Nu’ajmi nga Ibrahim Xhunjedi i cili ka thënë se e kam dëgjuar imam Shafiun r.a. duke thenë: “Bidati (risia) është dy lloje: bidat i lavdëruar dhe bidat i urrejtur, ai bidat që pëlqehet me sunnetin është i lavdëruar, ndërsa ai bidat që kundërshtohet me sunnetin është i papranuar”.
Kur qartë kuptohet se fjala “كل” (çdo) në hadith e ka kuptimin e përgjithshëm të specifikuar që d.t.th. disa bidate e jo çdo bidat, na bëhet e obligim të mendojmë në kuptimin e hadithit : “Kush e hap një rrugë të mire në Islam, atij i përket shpërblimi (pse e ka filluar atë punë të mire), po ashtu i takon edhe shpërblimi i atij që e kryen atë punë, pa iu pakuar shpërblimi atij që e punon atë vepër…”. Hadithi i tillë argumenton qartë se muslimani ka mundësi ta bëj ndonjë punë të mire edhe pse ajo punë nuk është bërë në kohën e Pejgamberit s.a.w.s.. Fjala “من سن سنة…” (kush hap një rrugë…) ka për qëllim atë se nëse fillohet të veprohet diçka e mirë por që është e verifikuar me ixhtihad (studim të hollësishëm) nga dijetarët dhe nuk vije në kundërshtim me kuptimin e përgjithshëm të rregullave dhe burimeve te sheriatit, atëherë ajo vepër pranohet dhe lejohet të zbatohet në sheriatin islam.
Ka disa prej masës së përgjithshme të njerëzve thonë: “Po të ishte festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. çështje që duhet të kryhet do ta e shpjegonte Pejgamberi s.a.w.s. këtë ummetit të tij?!” Përgjigja rreth kësaj është se çdo vepër që nuk e ka vepruar Pejgamberi s.a.w.s. apo shokët e tij nuk do të thotë se zbatimi i saj vepre është i ndaluar. Mu për këtë imam Shafiu r.a. mendon se çdo vepër që ka bazë në burimet e sheriatit por që atë vepër nuk e ka zbatuar Pejgamberi s.a.w.s. e as shokët e tij nuk mund të konsiderohet e ndaluar, por mund të jete e pëlqyer dhe e rekomanduar të veprohet. Ata të cilët mundohen të thonë se ajo vepër që nuk e ka vepruar Pejgamberi s.a.w.s. është e ndaluar te veprohet, është mendim i paargumentuar dhe i pa pranuar nga ana e dijetareve.
Po ashtu disa po mundohen me e mbështetur mendimin e tyre se festimi i ditëlindjes se Pejgamberit s.a.w.s. është gjë e ndaluar ne hadithin e Pejgamberit s.a.w.s. “Dhe mos e teproni ne lavdërimin ndaj meje sikur qe e tepruan ne lavdërim të krishterët ndaj Isaut të birit të Merjemes a.s. Vërtetë unë jamë rob i Allahut dhe Pejgamber i Tij”. Sipas komentit të Ibn Haxherit r.a. me shprehjen “mos e teproni ne lavdërim” është për qëllim ajo që ne mos ta konsiderojmë Pejgamberin s.a.w.s. sikur që e konsideruan te krishterët Isaun a.s. si bir i Zotit apo edhe Zot. Duhet të jetë e qartë se me festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. është për qëllim gëzimi për ardhjen e tij në këtë botë si mëshirë për njerëzimin.
Dikush mund të thotë se festimi i ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. konsiderohet bidat i refuzuar, ne do të u përgjigjeshim me atë se ka shumë çështje, të cilat nuk i kane vepruar sahabet, tabiinet dhe tebi tabininet, e qe sot muslimanet i veprojn si f.v.:
1. Të tubuarit e njerëzve për të falur me xhemat namazin e natës pas faljes së namazit të teravis ne të dy haremet. Një veprim i tillë nuk është vepruar nga tri gjeneratat e para muslimane.
2. Leximi i duas së përfundimit te Kur’anit në namazin e teravis, dhe po ashtu ne namazin e natës.
3. Veçimi i natës së 27 të ramazanit si natë e përmbylljes së leximit te Kur’anit ne namaz të teravis në dy Haremin e Mekkes dhe të Medines.
4. Thirrja për namaz të natës pas faljes së namazit te teravis duke u thënë (SALATUL KIJAMI ETHABEKUMU-LLAH).
5. Ndarja e çështjes së tevhidit në tri grupe: TEVHIDUL ULUHIJJJETI, TEVHIDU RUBUBUJJETI dhe TEVHIDU ESMAI VE SIFAT. Kjo lloj e ndarjes se tevhidit nuk është e bërë me hadith, as sahabet nuk e kane bërë këtë ndarje e as imamet e katër medhhebeve.
Duhet patur parasysh edhe këtë se ka shume vepra te cilat Pejgamberi s.a.w.s. i ka lenë pa i zbatuar, mirëpo ky moszbatim sipas dijetarëve mund të jetë për tri arsye:
1. I ka lenë disa vepra pa i zbatuar për shkak se nuk ka qenë nevoja për t’u zbatuara si f.v. luftimi i atyre që kundërshtojnë dhënien e zekatit, e të cilët i ka luftuar Ebu Bekri r.a. Pejgamberi s.a.w.s. nuk i ka luftuar te tillët ngase ne kohen e tij nuk ka pasur që dikush prej muslimaneve të kundërshtojnë dhënien e zekatit. E tash duhet ta kemi të qartë se Ebu Bekri r.a. e ka vepruar diçka që Pejgamberi s.a.w.s. nuk e ka vepruar, atëherë vallë mos po i japim vetës mundësi që të themi se edhe Ebu Bekri r.a. ka bërë bidat(risi).
2. Të lënurit e disa veprimeve për të cilën ekziston arsyeja pse nuk e ka zbatuar Pejgamberi s.a.w.s. si f.v. nuk e ka falur namazin e teravis me xhemat vetëm e vetëm se është frikësuar se ummeti do ta e marrin për farz. Pra nga kjo kuptohet se të falurit e namazit te teravis me xhemat është vepër e rekomanduar, ngase nuk ekziston me frika se ai do të konsideerohet prej ummetit farz.
3. Lenja e disa veprimeve nga ana Pejgamberit s.a.w.s. që për të cilën ka ekzistuar arsye por për veprimin e saj nuk ka kurrfarë pengese, si f.v. mos thirrja e ezanit për namazin e bajrameve.
Këto lenje të veprimeve të Pejgamberit s.a.w.s. i hapin rrugën zbatimit të disa gjërave edhepse Pejgamberi s.a.w.s. nuk i ka zbatuar, me kusht që të dihet shkaku i moszbatimit te çështjes.
Ka disa nga njerëzit që thonë se nuk duhet të festohet ditëlindja e Pejgamberit s.a.w.s. ngase mu në të njëjtën ditë vdes, dhe mu për këtë nuk mund të ketë gëzim atë ditë ngase mu atë ditë ka vdekur Pejgamberi s.a.w.s.!?!!
Këtij arsyetimi i përgjigjet shumë qartë dijetari i madh Xhelaludin Sujutiu r.a. në librin e tij “El-Havi lilfetava” faqe 193, duke thënë: “Padyshim se lindja e Pejgamberit s.a.w.s. është begatia me e madhe që Allahu na ka dhuruar, e vdekja e tij është fatkeqësia me e madhe për ne. Vërtetë sheriati islam na nxit neve që të shprehim gëzim për begatin e Allahut xh.sh., ndërsa durim dhe qetësi në fatkeqësi. Mu për këtë sheriati islam urdhëron që të prehet kurban për atë që ka lindur me qëllim që të shprehet gëzimi dhe falënderimi, na ka ndaluar të vajtojmë dhe të dëshpërohemi duke i humbur shpresat ne Zotin xh.sh. Dhe te gjitha rregullat e sheriatit e bëjnë të qartë atë se është e preferuar të shprehet gëzimi për lindjen e Pejgamberit s.a.w.s. e kurrsesi te shprehet hidhërimi dhe pikëllimi për vdekjen e tij”.
Në fund kisha me e përmbyll me atë se po qe se e festojmë ditëlindjen e Pejgamberit s.a.w.s. për respekt dhe dashuri ndaj Pejgamberit s.a.w.s. do te ishte me mire duke u mbështetur ne mendimet e atyre qe e lejojnë festimin e ditëlindjes së Pejgamberit s.a.w.s. Gjatë festimit te rikujtojmë atë se Pejgamberi s.a.w.s. dhe veprat e tij janë shembull dhe model për ne muslimanet. Allahu E’alem.
Dr.sci. Flamur Sofiu

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-