Punëtorët e Apple Store në Oklahoma votojnë për bashkim në sindikata

Opoja.net Opoja.net Teknologji

Punëtorët e dyqanit të Apple në Pen Square në Oklahoma City kanë votuar për t’u bashkuar në sindikatën e Punëtorët e Komunikimeve të Amerikës, ku 56 vota ishin pro bashkimit ndërsa 32 prej tyre ishin kundër bashkimit.

Sipas Bordit Kombëtar të Marrëdhënieve të Punës, të cilët e bënë mbikëqyrjen e zgjedhjeve, të gjithë punonjësit e rregullt me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme në dyqan kishin të drejtë të votonin, numri i tyre ishte gjithsej 95, raporton The Verge.

Këto zgjedhje ishin vetëm të dytat që janë mbajtur nga një dyqan amerikan i Apple. Në muajin qershor, punëtorët në Maryland kishin votuar pro bashkimit në sindikatën e Shoqatës Ndërkombëtare të Makinistëve dhe Punëtorëve të Hapësirës Ajrore, përcjell Telegrafi.

Një palë zgjedhje të tjera ishin planifikuar që të mbahen në Atlanta, por CWA i anuloi ato, duke pretenduar se kompania i kishte bërë të “pamundura” zgjedhjet e ndershme duke frikësuar punëtorët.

Apple është përballur me disa ankesa në lidhje me taktikat kundër sindikatave, duke përfshirë këtu edhe Oklahoman – më herët gjatë muajit, CWA kishte deponuar padi kundër kompanisë me NLRB.

Sipas sindikatës, Apple kishte marrë në pyetje dhe i kishte mbikëqyrur punëtorët në dyqanin në Penn Square, mbajti mbledhje të mbyllura me ta, dhe u kishin thënë se nuk do t’i marrin beneficionet e njëjta si punëtorët e dyqaneve që nuk janë të bashkuar në sindikata, kjo në rast se ata do të votonin pro organizimit.

Pika e fundit u mbështet nga një raport i bërë nga Bloomberg ku shkruhej se Apple u kishte thënë punëtorëve të dyqanit në Maryland i cili ishte bashkuar në sindikatë se ata do të duhet të bëjnë pazare për përfitimet që u jepen punëtorëve në dyqanet e tjera të saj.

CWA pretendoi sjellje të ngjashme në vendndodhje në Atlanta dhe Nju Jork. NLRB hetoi pretendimet e mëvonshme dhe së fundi njoftoi se këto pretendime ishin të sakta, duke paraqitur ankesën e saj kundër Apple.

Në prag të zgjedhjeve në Maryland, Apple punësoi avokatë kundër sindikatave dhe u kërkoi drejtuesve të përpiqeshin të dekurajonin punonjësit nga bashkimi në sindikata.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-