Shkruan: Dr. Xhafer Beqiraj
Lajmi për ndarjen nga jeta e Prof. dr. Abdullah Zymberit është i dhimbshëm jo vetëm për familjen, por edhe për shokët, miqtë, kolegët, studentët. Po jo vetëm kaq, ndarja nga jeta e profesorit tonë është humbje shumë e madhe për Universitetin „Ukshin Hoti“ dhe për Universitetin e Prishtinës ku ai punoi, si dhe për gjuhësinë shqiptare dhe mbarë kombin.
Prof. Abdullah Zymberi, nga të fundit të mëdhenj gjuhëtarë, është përfaqësues i asaj plejade të ndritur shkencëtarësh që vunë themelet e kështjellës së gjuhësisë shqiptare dhe është ndër të parët pishtarë të arsimit në Kosovë, i cili punoi disa dekada me radhë pa u lodhur e me përkushtim të jashtëzakonshëm për arsimimin e gjeneratave të reja. Ai është ndër ata të paktë studiues në fushën e leksikologjisë e leksikografisë (leksikut dialektor e dialektologjisë në përgjithësi), që mund të numërohen me gishta në gjuhësinë shqiptare, i cili, duke qenë dijetar me njohuri të thella gjuhësore dhe me dhunti të rrallë shkencore, ka arritur të jetë latuesi dhe qëmtuesi më i spikatur i fjalës shqipe.
Profesor A. Zymberi, ky qëmtues i spikatur i fjalës shqipe (i xhevahireve popullore), do t’u mungojë trevave të ndryshme të shqipes, të cilat presin që dikush t’i mbledhë, për të mos i mbuluar pluhuri i harresës. Themi se do t’u mungojë atyre, sepse ai, nëpër shumë treva shqiptare, mblodhi nektarin popullor gjatë gjithë jetës së tij, duke lënë pas vetes tre fjalorë popullorë të paçmueshëm për leksikografinë e shqipes, dhjetëra artikuj shkencorë për të folmet e të trevave të ndryshme shqiptare.
Por jo vetëm kaq, prof. Abdullahu la pas vetes edhe mjaft studime të leksikut në veprat letrare të shumë autorëve shqiptarë dhe të huaj. Ai është autor edhe i shumë studimeve nga fusha e gramatikës së shqipes.
Një tjetër veçori e personalitetit të tij është se ai qe një fanatik i gjuhës standarde shqipe. Prandaj, porosia e tij për pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe është shumë e drejtë dhe duhet të ngulitet mirë e përherë në ndërgjegjen e çdo shqiptari; qoftë ai mësues, student; qoftë gazetar apo punonjës në radio dhe televizione etj. Ai ishte i bindur se ndikimi i tyre, nëse gjuha standarde zbatohet siç duhet nga ta, do të ishte shumë i madh në masën e gjerë popullore. Kurse në rast se ajo bastardohet nga ta, thoshte profesori ynë, jep shembullin më të keq të shpërdorimit të saj, duke ndikuar për keq në masën e gjerë popullore.
Prandaj jo rrallëherë, ai shkroi artikuj kundër kësaj dukurie, duke vënë në pah shpërdorimin e gjuhës amtare nga ata që do të duhej të ishin shembull i mirë, siç thoshte profesori, për të folurit dhe të shkruarit e shqipes sonë të bukur. Prandaj, tundohej skajshmërisht kur vërente se po shpërdorohej ajo nga folësit dhe shkruesit e saj.
Ai, përveç tjerash, qe dhe një pedagog i veçantë e shumë i zellshëm. Unë, sigurisht, jam shumë me fat, sepse pata nderin të jem student i tij, por mbi të gjitha e pata shok e mik, së fundi edhe koleg, prej të cilit mësova shumëçka. Profesori ynë ishte i tillë për të gjithë studentët. Ai arriti ta bëjë gjuhën amtare si një makth për ne të gjithë, që sa më shumë i merr erë, aq më shumë të tërheqë dhe të bën për vete. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm, se vetëm kështu mund të rritte dashurinë dhe respektin tonë për shqipen. Duke qenë pedagog model e një studiues i përvujtur, për ne të gjithë ka qenë sa stimulues gjatë studimeve tona, po aq reflektues. Kjo është figura e shquar e profesor Abdullah Zymberit, i cili qe dhe mbetet në kujtesën tonë një pedagog i spikatur dhe një studiues i dalluar në fushën e albanologjisë, me të cilin jemi krenarë të gjithë, sepse vepra e tij shumëdimensionale është dhe do të jetë e pavdekshme për jetë e mote.
Jemi shumë të ndërgjegjshëm, se në këto momente dhembjeje nuk na jepet mundësi për t’i vënë në dukje të gjitha të arriturat dhe vlerat shkencore e pedagogjike të këtij pedagogu, shkencëtari e atdhetari të pakundshoq, mirëpo veprimtaria e paçmueshme e tij do të studiohet nga gjeneratat e ardhshme dhe veçanërisht nga bashkëveprimtarët e tij, sepse vepra e tij është monumentale.
Prandaj, shembulli dhe veprat e profesor Abdullah Zymberit do të kujtohen gjithmonë nga studentët, profesorët e Universitetit „Ukshin Hoti“ ku së fundi ai punoi dhe nga qendrat e tjera universitare e parauniversitare. Sepse vepra i tij qe dhe do të jetë shëmbëlltyrë për të gjithë ne, e cila, në të vërtetë, do t’na shërbejë njëherazi edhe si një fanar ndriçues gjatë rrugëtimit tonë në të ardhmen.
Ngushëllime familjes Zymberi!
Ngushëllime miqve, shokëve dhe kolegëve të profesorit!
Qoftë e përjetshme dhe e paharruar vepra e profesorit tonë!
Pushoftë në paqe!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.