Performanca e Prizrenit dhe Dragashit në vitin 2018 ishte e pamjaftueshme për t’i përmbushur kriteret për përfitime në këtë vit nga granti i performancës komunale. Por Rahoveci, Suhareka, Malisheva e Mamusha i kanë përmbushur ato. Madje, Komuna e Rahovecit ka përfituar shumën më të madhe, krahasuar me komunat e rajonit, përkatësisht 255 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se granti i performancës komunale është i rëndësishëm për pushtetin lokal dhe qytetarët e Komunës së Rahovecit, pasi që mundëson realizimin e projekteve të interesit publik, raporton KOHA.
ka bërë të ditur se ky grant, në shumën prej 255 mijë eurosh do të shpenzohet për trajtimin e shtretërve të përrenjve, si dhe për ndërtimin e rrugëve lokale në këtë komunë.
Në anën tjetër, monitoruesit nga shoqëria civile kanë pohuar se bazuar në trendin e performimit qysh më herët kanë tërhequr vërejtjen që Prizreni e Dragashi nuk do të përfitojnë nga granti i performancës komunale.
Naim Cahani nga KDI-ja thotë se Prizreni nuk ka arritur që të shpenzojë 75 % të investimeve kapitale, derisa Dragashi pos kësaj sfide është ballafaquar edhe me opinionin e dhënë nga Auditori.
Granti i performancës bashkëfinancohet nga MAPL-ja dhe tre donatorët: Qeveria zvicerane, Qeveria suedeze dhe Qeveria norvegjeze. Granti sivjet në Kosovë do të mbështesë financiarisht zbatimin e 43 projekteve kapitale të 23 komunave përfituese, të cilat kanë arritur t’i përmbushin kriteret kualifikuese.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.