Prizren: Shtyhet gjykimi ndaj policit të akuzuar për 50 euro ryshfet

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kronika

Mungesa e dy dëshmitarëve Argjend Gashi dhe Shaban Desipojci, u bë shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj policit të akuzuar për marrje të ryshfetit, Elmi Krasniqi. Seanca e cila ishte paraparë të mbahej të martën, u caktua të mbahet me 14 prill, në ora 14:00.

Lidhur me mungesën e dëshmitarëve në fjalë, kryetari i trupit gjykues, Skender Qoqaj, konstatoi se dëshmitari Gashi më 1 mars 2017 e ka njoftuar gjykatën se gjendet në një udhëtim jashtë shtetit.

Ndërkaq, për dëshmitarin Desipojci, u konstatua se i njëjti e ka pranuar ftesën e rregullt të gjykatës, por nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Ndryshe, i pandehuri Elmi Krasniqi në të gjitha fazat e procedurës, është deklaruar i pafajshëm dhe nuk ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkon akti akuzues.

Prokuroria Themelore në Prizren, në fund të tetorit të vitit 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Elmi Krasniqi, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”. Sipas aktit akuzues, Krasniqi në cilësinë e zyrtarit policor, gjatë patrollimit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka ndaluar për tejkalim të shpejtësisë  të dëmtuarin Ismet Gjeliloviq.

Gjithnjë sipas akuzës, tani i pandehurit, i ka thënë të dëmtuarit të paguajë gjobën në vlerë 95 euro, me arsyetimin se në rrugën ku lejohet shpejtësia 100 km/h, ka zhvilluar shpejtësinë prej 161 km/h. Mirëpo, këtij të fundit, më pas i pandehuri i kishte thënë se mund t’a mbyllin këtë çështje miqësisht, nëse ai i jep 50 euro. I dëmtuari pasi i ka dhënë të akuzuarit paratë në vlerë prej 50 euro, menjëherë ka shkuar në Stacionin Policor në Malishevë, ku edhe e ka paraqitur rastin.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-