Përfundon Procedura e Provave në Rastin e Kryetarit të Dragashit (Video)

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja
  • Në rastin ku të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare janë kryetari i Dragashit Salim Jenuzi dhe ishh-kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune Lulzim Rifaj, të premten dha deklaratën ky i dyti. Pas kësaj deklarate përfundoi procedura e provave në këtë proces.Rifaj aktualisht është konsull në ambasadën kosovare në Sofje të Bullgarisë.

    Ai bashkë me kryetarin Jenuzi akuzohen se pronën e ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” e bartën në pronësi të komunës.

    Në deklaratën e dhënë para gjykatës, Lulzim Rifaj, tha se kërkesa për shpronësimin e pronës nga NBI “Sharri” në Komunën e Dragashit, ka ardhur nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Dragashit.

    Rifaj, tha se këtë propozim e ka kundërshtuar kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, mirëpo më pas me propozimin e 10 deputetëve nga parti të ndryshme, si kryesues i Kuvendit ka marrë vendim për futje në rend të ditës të këtij propozimi.

    “Pas kryerjes së mbledhjes që ne kemi vendosë për me e shti në rend të ditës, kryetari ka kundërshtue, s’jemi marrë më me atë çështje… nuk ka treguar pse, vetëm se kryetari ka thënë, mendimi jem është që mos të hy kjo në rend të ditës. Unë i kam thënë mendimi yt është, po na e vendosim këtë çështje,” tha Rifaj.

    Ai ngeli në tërësi pranë deklaratës së tij të dhënë pranë prokurorisë.

    Me përfundimin e marrjes në pyetje së të akuzuarit Lulzim Rifaj, përfundoi edhe procedura e provave në këtë lëndë.

    Me propozimin e avokatit Fatmir Jëlliqi, seanca gjyqësore e së premtes, u ndërpre.

    “Iu drejtova kryetarit të trupit gjykues, me kërkesë që të më lirojë nga vazhdimi i seancës pas pauzës, dhe kjo ka të bëjë me pjesëmarrjen në një funeral,” tha Jëlliqi.

    Seanca e radhës, ku do të jepet fjala përfundimtare e palëve, do të mbahet më 19 janar 2015.

    Prokuroria akuzon Jenuzajn se në cilësi të kryetarit të Komunës së Dragashit urdhëroi drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që ta bartë pronën shoqërore në sipërfaqen prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në pronë të Komunës të Dragashit.

    Këtë pronë pastaj Jenuzi ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike blegtorëve.

    Rifaj akuzohet se si kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit vuri në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.

    Ligji për AKP-në e përcakton këtë agjenci si administratore të ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjet i janë nënshtruar ose jo transformimit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-