Përdorimi i rrjeteve sociale sot konsiderohet një ndër aktivitetet më të zakonshme të adoleshentëve.
Facebook, WhatsApp, Instagram janë tri rrjetet sociale të cilat përdoren më së shumti nga filloristët, ani pse, për të hapur llogari në këto rrjete kërkohet një moshë më e shtyrë.
Duke përdorur të dhëna jo të sakta, pothuajse çdo nxënës, ka një llogari. Por, përdorimi jo i drejtë i tyre shpeshherë sjell edhe konflikte në shkollë. Këtë e pohon për Radio Kosovën edhe psikologia Trëndelinë Krasniqi.
“Ka raste ku agravon si konflikt por në shumicën e rasteve pas trajtimit në bashkëpunim me prindërit, fëmijët e kuptojnë rëndësinë e asaj sesa është i dëmshëm ekspozimi i tepërt në rrjetet sociale. Është një problematikë në vete, sepse aty ata shkëmbejnë informata që ndonjëherë e thyejnë privatësinë e tyre pa ditur se ajo është e dëmshme dhe kjo buron problem dhe pasoja të tjera”, tha ajo.
Krasniqi shpjegon më tej, se edhe prindërit nuk janë mjaftueshëm të informuar për mënyrën se si duhet një fëmijë të ekspozohet ndaj rrjeteve sociale.
Megjithatë, një pjesë e fëmijëve kanë arritur të përdorin rrjetet sociale për të plotësuar mësimnxënien e tyre. Për këtë flet arsimtarja në Shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, Afërdita Fazliu
“Kemi një numër të madh të nxënësve, kemi nxënës shumë të mirë të cilët teknologjinë e përdorin për përmbushjen e njohurive të veta kurse shumica e nxënësve mund edhe ta kalojnë kohën me teknologji e që kjo është e dëmshme edhe për vete edhe për shoqëri. Ky është problem global, nuk është vetëm te ne por po ndodh gjithë botën. Porosia është që nxënësit sa më pak ta përdorin për lojëra e më shumë ta shfrytëzojnë për marrjen e njohurive”, theksoi ajo.
Drejtoresha e Shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, tregon se në bashkëpunim me prindërit, ka disa vite që shkolla është pajisur me dollapë, më qëllim që nxënësit të vendosin celularët gjatë procesit mësimor. Megjithëkëtë, Krasniqi thotë se për këtë çështje nuk kanë masa të rrepta.
“Normal nuk i kemi larguar komplet (telefonat) për arsye se ka orë kur është i nevojshëm përdorimi i telefonave e sidomos në orën e teknologjisë dhe në orën e matematikës ku ka detyra të cilat lidhen dhe me rrjetet sociale”, tha ajo.
Për të mënjanuar problemin e telefonave gjatë orëve mësimore, ajo thekson se ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës për furnizim të shkollës që ajo drejton me kompjuterë dhe llap-top.
Por, sa mund të rrinë të rinjtë sot, pa përdorim të telefonit? Në përgjigjet e tyre, në shumë raste ata vetën e nxjerrin si më mirë, ashtu siç dëshmon edhe kjo filloriste.
“Besoj që mund të rri një javë pa telefon, por për të tjerët nuk jam e sigurt se të rinjtë po rrinë më shumë nëpër telefona”, theksoi nxënësja.
Sidoqoftë, statistikat tregojnë se dëmet e përdorimit të rrjeteve sociale, janë të theksuara.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.