Përcillet për në banesën e fundit Bashkim Fino

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Shqipëria

Mëngjesin e 29 marsit u nda nga jeta Bashkim Fino. Deputeti i Partisë Socialiste ndërroi jetë parakohe, në moshën 59-vjeçare. Ai humbi betejën me Covid-19. Fino ishte një prej figurave më të kahershme në Partinë Socialiste.

Përfaqësues të shumtë të politikës shqiptare kryen homazhe në nder të tij. Mes politikanëve që mbërritën në Pallatin e Kongreseve, ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në homazhe morën pjesë edhe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj; kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu; ministrja e Arsimit, Evis Kushi; ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi; deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, ish-presidenti Alfred Moisiu, si dhe shumë deputetë të tjerë socialistë, bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.

E pranishme në ceremoni ishte edhe Arta Dade, e cila ndau dhimbjen për humbjen. Dade i cilësoi të pashlyeshme momentet kur Fino mori detyrën e kryeministrit në vitin 1997.

Kryeministri i Shqipërisë dhe njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama ishin të pranishëm në ceremoni. Gjithashtu, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Aurela Basha, morën pjesë në ceremoninë mortore.

Në homazhe ishin të pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim. Fino u përcoll në banesën e fundit në orën 16.00, në varrezat e Sharrës. Në nderim të tij u shpall ditë zie kombëtare dhe flamujt u ulën në gjysmë shtizë.

Albanianpost.com

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-