Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës zyrtarët policorë kufitar janë penguar në kryerjen e detyrave nga një person në gjendje të dehur.
Policia ka njoftuar gjithashtu se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, përcjell Demokracia.com.
“Gjatë realizimit të detyrave policore në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës, zyrtarët policorë kufitar janë penguar në kryerje të detyrës nga një person i cili ishte në gjendje të dehur, e i cili sipas procedurave policore është shoqëruar në stacion policor. Të gjitha veprimet ndaj të njëjtit do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu Policia ka demntuar lajmet e mediave serbe dhe të zyrtarëve serb se qytetarët po maltretohen.
“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar njofton opinionin dhe qytetarët se të gjitha veprimet e saja policore i ndërmerr bazuar në autorizimet ligjore, në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit. Njëkohësisht përmes këtij informacioni zyrtar demanton informatat e ndryshme, të rreme të cilat po qarkullojnë se kinse Policia e Kosovës, në veri të Mitrovicës po ndalon dhe maltreton qytetarët, gjatë ushtrimit të detyrave policore.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi qarkullimi i këtyre informacioneve të pavërteta, kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pa sigurisë te qytetarët.
“Ju sigurojmë se Policia e Kosovës përmes realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, ka të vetmin qëllim, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kontrabandës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime.”, thuhet në njoftim.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve të tilla të pasakta.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.