Blaç, më 22. 4. 2020
Sot, pas një pune të palodhshme në mësimdhënie, doli në pension mësuesi Ramadan Zejnullahu, bashkëfshatari ynë dhe njeriu arsimdashës e i palodhur.
Mësuesi Ramadan, gjatë punës së tij në mësimdhënie, ka shpërndarë dije në ShMU: „Sezai Surroi“ në Bellobrad, në ShMU: „28 Nëntori“ në Bresanë dhe së fundmi edhe në ShMU: „Ilmi Bahtijari“ në Blaç.
Për gjatë gjithë këtyre viteve, mësuesin Ramadan, e mbajmë mend për korrektësinë e tij, për kontributin dhe për ndihmën që u ka dhënë gjeneratave të reja. Ai me punën e tij na ka bërë të ndihemi gjithmonë të vyeshëm në shoqëri dhe borxhli ndaj një mësuesi të urtë, të sjellshëm dhe rrezatues dijesh.
Për më së 40 vite nxënës të Bellobradit, Brrutit, Zymit, Rrencit, Bresanës, Buzezit, Kuklibegit, Blaçit, Zaplluxhës e Zgatarit janë brumosur me përvojat e tij të mësimdhënies së suksesshme. Është kjo një histori suksesi që do ta bënte krenar çdo mësimdhës.
Mbase është e trishtë ndarja nga nxënësit në këto kohëra të liga të lëngatës COVID-19, por puna e tij ka vlerë edhe në këto rrethana, dhe, ajo do të respektohet nga shumë gjenerata nxënësish me të cilët ka punuar.
Urime pensionimi mësuesi Ramadan! Paç pleqëri të mbarë! Gëzofsh për shumë vite me më të dashurit që të rrethojnë!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.