Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tërheqje të Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Në një deklaratë të shtunën pasdite, Osmani ka thënë se “veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit”.
“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës “do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
“Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo.
Osmani u ka bërë thirrje serbëve në vend që të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.
“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë. Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit”, ka thënë Osmani.
Përfaqësues të serbëve në Kosovë të shtunën vendosën për t’i bojkotuar institucionet e vendit. Vendimin e arsyetuan me shkallëzimin e sanksioneve që Qeveria e Kosovës bëri për refuzuesit e konvertimit të targave ilegale në ato RKS.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.