Bashkëvendasja jonë Dardane (Gazmend) Bojaxhi, është e doktoruara e radhës nga Opoja. Ajo më 10 korrik 2024 ka mbrojtur me sukses të lartë punimin e doktoratës me titull “Kollokationen im Deutschen und im Albanischen-eine kontrastive Analyse” (Kolokacionet/lokucionet në gjuhën gjermane dhe shqipe-analizë kontrastive).
Gradën doktor shkence e gjuhës gjermane, Dardanja e ka arritur në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit shtetror të Tetovës përpara komisionit në përbërje: prof. dr. Gjuliano Iseini, kryetar dhe prof. dr. Berton Sulejmani, prof. dr Izmit Gurmishi, prof. dr. Majlinda Nuhiu dhe prof. dr. Suzana Ajupi, anëtarë. Mentor i doktoratës ka qenë prof. dr. Arbër Çeliku.
Dr. sc. Dardane Bojaxhi është e lindur më 3 korrik 1990 në Prizren. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa gjimnazin në kolegjin gjerman “Loyola” në Prizren.
Studimet universitare i ka kryer në Universitetin “Hasan Prishtina” t Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë – Dega Gjuhë dhe letërsi gjermane.
Studimet master i ka vazhduar në universitetin e Tiranës – Fakulteti i Gjuhëve të huaja – Dega Mësuesi e gjuhës gjermane, ku ka marrë titullin master shkencor.
Në Universitetin e Tetovës ka vazhduar studimet e doktoratës dhe ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës.
Gjatë studimeve doktorale Dardanja ka kryer vizita studimore në Gjermani, në Universitetin e Mannheim dhe në universitetin e Bochum-it, si dhe në Austri në Universitetin e Vjenës.
Dr. sc. Dardane Bojaxhi është autore e librit në gjuhën gjermane „Der Einsatz von Film im DaF-Unterricht“. Është gjithashtu autore e disa punimeve shkencore dhe hulumtimeve nga fusha e gjuhësisë, të cilat i ka të botuara në revista prestigjioze brenda dhe jashtë vendit.
Për afro 10 vite ka punuar si profesoreshë e lëndës së gjuhës gjermane në Shkollën e mesme të mjekësisë „Luciano Motroni“ në Prizren e pastaj ka kaluar në gjimnazin “Gjon Buzuku” ku vazhdon të punojë edhe sot. Paralelisht ka qenë e angazhuar edhe në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane në Fakultetin Filologjik. Poashtu ka punuar edhe në kolegje private në Republikën e Kosovës.
Krahas angazhimit në mësimdhënje, ajo që nga viti 2012 është përkthyese e licensuar gjyqësore dhe e ushtron këtë profesion me shumë pasion.
Përveç gjuhës amtare dhe gjermanishtes Dardanja e flet rrjedhshëm edhe anglishten, ndërsa me nivel mesatar e flet edhe spanjishten.
Është e martuar dhe ka dy fëmijë.
Një njoftim të shkurtër për arritjen e gradës shkencore e ka bërë vetë Dardanja në profilin e saj në facebook duke e shkruar: Nga sot Doktor shkence në gjuhë gjermane. Ndërkaq babai i saj Gazmendi i cili me të drejtë i është gëzuar doktorimit të vajzës së tij, ka shkruar: Më në fund sakrifica kurorëzohet me sukses. Me sukses maksimal vajza ime Dardanja e mbrojti temën e doktoraturës dhe e fitoi titullin Dr.sc.
Duhet theksuar se Dardanja rrjedh nga një familje arsimdashëse nga Pllava e Opojës. Ajo është mbesa e mësuesit veteran dhe defektologut tashmë të ndjerë, Irfan Bojaxhiu, i cili mbahet në mend në Opojë për edukimin e shumë brezave.
Autor i shkrimit: Demir Reshiti
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.