Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dhënë një pasqyrë se si do të jetë përbërja e Kuvendit të ardhshëm, tash kur janë numëruar 99 përqind e votave.
Sipas Cakollit, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 47 deputetë, PDK 25 deputetë, LDK 20 deputetë dhe AAK 8 deputetë, shkruan Reporteri.net.
“Edhe pse ende mbeten në kalkulim rreth 100-120 mijë vota, përfshirë ato jashtë vendit dhe votat me kusht, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar do të jetë margjinal. Derisa votat me kusht ndjekin të njëjtin trend si votat e rregullta, në votat jashtë vendit LVV tradicionalisht performon dukshëm më mirë (bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara)”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka treguar edhe sa mandate mund t’i shtohen VV’së nga votat e diasporës.
“Nëse LVV fiton rreth 60% të votave jashtë vendit, mund të marrë deri në dy mandate shtesë, duke arritur në gjithsej 49 deputetë. Në variantin më pozitiv për LVV, kur fiton mbi 75% të votave jashtë vendit, mund të arrijë deri në 51 deputetë. Ndërsa, në variantin negativ për LVV-në, kur merr më pak se 50% të votave jashtë vendit, mund të bjerë në 46 mandate”, ka shkruar ai.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.