Një reflektim rreth 10 ditëve të Dhul Hixhes

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixheh janë ditë të bekuara. Shumë argumente dëshmojnë për vlerën dhe rëndësinë e këtyre ditëve. Në Kur’an lexojmë: „Pasha agimin. Pasha dhjetë netët….!“ Dhjetë netët për të cilët Allahu betohet këtu janë dhjetë netët e para të Dhul Hixhes, kurse ky është mendimi i shumicës së komentatorëve të Kur’anit.

Ndërsa, Profeti ynë i dashur, s.a.v.s., ka thënë: «Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Allahu, sesa në këto dhjetë ditë.“ Shokët e tij, e pyetën: „As lufta në rrugën e All-llahut?“ Tha: „As lufta në rrugën e All-llahut, përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.“ Gjithashtu ka thënë: „Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura dhe më vlerësuese tek Zotit sesa në këto dhjetë ditë. Prandaj, shtoni tehlil-in (la ilahe il-lall-llah) tekbirin (Allahu ekber) dhe tahmidin (elhamdulilah).“ Me një rast tjetër thotë: ” Ditët më të vlefshme të dunjasë janë këto dhjetë ditë (d.m.th., dhjetë ditët e Dhul Hixhes) .“

Këto argumente janë tregues i qartë se dhjetë ditët e Dhul Hixhes, janë ditët më të mira të vitit pa përjashtim, madje disa dijetarë kanë thënë se janë më të mira edhe se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira, pasi në to gjendet nata e kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj.

Por, ajo çfarë dua të reflektoj dhe sqaroj, është hadithi i përmendur më lart, ku Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: „Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Allahu, sesa në këto dhjetë ditë.“ Shokët e tij, të çuditur e pyetën: „As lufta (xhihadi) në rrugën e All-llahut?“ Tha: „As lufta në rrugën e All-llahut, përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.“

Pjesa e fundit e këtij hadithi sherif, nuk duhet të keqkuptohet dhe të veprohet me të në kundërshtim me tekstet e tjera të cilat sistemojnë rregulla dhe akte ligjore për paqen dhe luftën. Domethënë, nuk lejohet kurrsesi që dikush, nga prizmi i tij (duke marrë për bazë këtë hadith) të del me veten dhe pasurinë e tij dhe t`i shpall luftë ndonjë personi tjetër, partie, grupi apo fisi të caktuar. Feja islame nuk ua lejon qytetarëve të zakonshëm apo xhemateve (grupeve) të caktuara të shpallin gjendje lufte (kur është e domosdoshme), por këtë të drejtë ia jep udhëheqësit të shtetit dhe organeve kompetente. Po të veprojë secili si të dojë, sigurisht se do paraqitet çrregullim dhe shkatërrim i madh në tokë.

Po ashtu, duhet ta kemi të qartë se xhihadi nuk është një luftë e shenjtë. Në fakt, as në Kur’an e as në Hadith nuk është përshkruar kurrë si e shenjtë. Xhihadi është, më saktë, një përpjekje, që nganjëherë përfshin armët, në mbrojtje dhe ruajtje të së shenjtës.

Lufta në Islam, duhet të kuptohet vetëm si mjet për parandalimin e shtypjes dhe padrejtësisë. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë urdhëron dhe thotë: „U lejohet (lufta) atyre që janë sulmuar, ngase ju është bërë padrejtësi (zullum)..“ Kurse në një vend tjetër thotë: „“Dhe luftoni në rrugën e Allahut ata që ju luftojnë, por mos i tejkaloni kufijtë. Vërtet, Allahu nuk i do ata që e teprojnë.”

Nëse muslimanët detyrohen të përfshihen në një betejë e cila u imponohet, ata janë të urdhëruar që të reduktojnë në maksimum dëmet në njerëz dhe dëmet materiale. Atyre nuk u lejohet të vrasin veçse ata që duan t’i vrasin, nuk vrasin gratë, nuk vrasin fëmijët, as pleqtë, as murgjërit në manastire, as fermerët, as tregtarët, por vetëm ata që mbajnë armë dhe luftojnë. Përveç kësaj, muslimanëve nuk u lejohet të presin pemët, të prishin ndërtesat, të djegin të mbjellat, të vrasin kafshët, etj…

Lufta në Islam kuptohet si mbrojtje dhe nuk bëhet kurrë për të shtrënguar njerëzit që të hyjnë në fe.

Në këtë kontekst, dijetari musliman Ibn Tejmije ka thënë: “Lufta në Islam është gjithmonë mbrojtëse, sepse baza e marrëdhënies me jomuslimanët është bashkekzistenca paqësore; nëse meditohet thellë mbi shkaqet e ekspeditave ushtarake të Pejgamberit, s.a.v.s., do të vërehet se të gjitha ato ishin të këtij lloji.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-