Për dallim nga viti i kaluar, kur testi i arritshmërisë u anulua derisa ai i maturës u shty dy herë për shkak të situatës me pandeminë, këtë vit po planifikohet të mbahen që të dyja.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë të ditur se pas disa takimeve me drejtoritë komunale kanë ardhur në përfundim se testi i arritshmërisë do të mbahet më 21 maj, porse deri atëherë do ta përcjellin situatën me pandeminë.
“MASH-i, varësisht prej zhvillimeve me pandeminë, do ta shqyrtojë në vazhdimësi këtë çështje. Përpos planit të rregullt për zhvillimin e aktiviteteve për përgatitjen e instrumenteve, MASH-i ka edhe praktikën e mbajtjes së suksesshme të testit të maturës 2020 për respektimin e masave anti-COVID”, thuhet në përgjigje, njofton Koha.
Ndërkaq, testi i maturës është planifikuar të mbahet më 12 dhe 19 qershor, me ç’rast në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 12 nxënës.
Në mungesë të testit të arritshmërisë, vitin e kaluar nxënësit e klasave të 9-ta u regjistruan në shkolla të mesme vetëm në bazë të suksesit.
Ndërkaq, shtyrja e testit të maturës pati ndikuar që edhe viti akademik 2020/2021 të mos niste me kohë.
Sipas të dhënave zyrtare të MASH-it, këtë vit testit të arritshmërisë duhet t’i nënshtrohen 25.670 nxënës, kurse atij të maturës 25.100 maturantë të këtij viti dhe rreth 2.000 të viteve të kaluara.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.