Kompanitë prodhuese në Kosovë gjatë këtij viti, kanë filluar të rrisin prodhimin e tyre, rrjedhimisht edhe qarkullimin financiar. Një nga kompanitë është “8 vëllezërit” në Komunën e Klinës, që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës. Argjend Shala, pronar i kësaj ndërmarrjeje, tha se gjatë këtij viti, kompanisë i është kthyer normaliteti pas pandemisë. Mbi 30 për qind, tha ai, ka rritje të sasisë së prodhimit dhe rritje të numrit të të punësuarve. Kjo kompani, prodhimet e saj i eksporton edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
“Vitin e kaluar ka pasur më pak qarkullim, por punëtorët i kemi mbajtur në punë. Ndërsa, sivjet është më mirë, ka rritje edhe në tregun e Kosovës, por ka rritje edhe të eksportit”, tha Shala.
Bizneset në Kosovë, vitin e kaluar gjatë pandemisë, kanë raportuar humbje mbi një miliard euro.
Një ringjallje ekonomike, vërehet edhe nga të hyrat e agjencive kryesore që mbushin buxhetin, siç janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti, ka arritur të inkasojë mbi 242 milionë euro apo rreth 57 milionë euro më shumë. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rreth 27 për qind është rritja e qarkullimit të bizneseve në këtë periudhë.
“Nëse e analizojmë edhe qarkullimin e deklaruar nga ana e bizneseve, kemi edhe një rritje të qarkullimit për rreth 27 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Apo shprehur në vlera financiare, mbi 820 milionë euro është qarkullimi i rritur në vitin 2021, në raport me periudhën e njëjtë (janar – maj) të vitit 2020”, thekson Murtezaj.
Në periudhën janar – prill të vitit të kaluar, vlera e qarkullimit ka qenë mbi tre miliardë euro, derisa në periudhën e njëjtë gjatë këtij viti, kjo shumë ka shkuar në 3.8 miliardë euro.
Edhe Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe (janar – maj), ka grumbulluar mbi 512 milionë euro, apo 112 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur vlera e të hyrave ishte mbi 400 milionë euro, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion.
Kjo rritje ka ndikuar kryesisht nga rritja e importit të sasisë së derivateve të naftës, cigareve dhe automjeteve.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.