Serbia është duke shfrytëzuar situatën e krijuar lidhur me targat ilegale në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, për të fshehur strategjinë e saj për t’i ikur njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë.
Ajo thotë se Bashkimi Evropian ka treguar “durim të madh” me Serbinë, ndërsa thekson se palën serbe nuk duhet lejuar të vazhdojë me strategjinë e njëjtë. Sipas Tromp, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon politikën ku Kosova është pozicionuar si palë konstruktive në diskutimet në Bruksel, edhe në rastin e çështjes së targave ilegale.
Duke e lidhur momentumin politik në Kosovë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, Tromp thekson se nëse Serbia do të arrinte ndarjen e Kosovës, Rusia do të mund ta përdorte këtë si precedent për rajonet ukrainase të cilat pretendon t’i marrë. Andaj, ajo shton se “për herë të parë në këtë histori të shkurtër të Kosovës si shtet i pavarur, realitetet politike janë në anën e saj [Kosovës]”.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e shqiptimit të gjobave për targat serbe, për 48 orë, në mënyrë që t’i jepet hapësirë një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë për këtë çështje. Si i shihni hapat e ardhshëm, pas këtij afati kohor? A prisni ndonjë marrëveshje?
Nevenka Tromp: Nuk pres ndonjë marrëveshje nga pala serbe, sepse Serbia, me hapa të vegjël, po i përdor këto pengesa për të fshehur strategjinë reale pas politikës konsistente të saj, dhe kjo është për të penguar në çdo mënyrë njohjen e statusit të Kosovës si një shtet të pavarur.
Në të njëjtën kohë, politikën e kryeministrit Albin Kurti e shoh shumë konsistente me politikën e paraardhësit të tij [Avdullah Hoti], ku Kosova ka qenë dhe e ka pozicionuar veten si palë bashkëpunuese, me synime të identifikuara. Po ashtu, Kosova e ka dëshmuar se është shumë e ndjeshme dhe e përgjegjshme ndaj lidershipit të bashkësisë ndërkombëtare në këto negociata.
Pra, mendoj se kryeministri Kurti nuk ka asgjë për të humbur, aq më pak autoritetin e tij si kryeministër, duke e shtyrë edhe një herë zbatimin e këtyre masave administrative, sepse kjo tregon bashkëpunim ndaj Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Pra, Kosova nuk është palë që pengon ndonjë gjë.
Mendoj se ky fleksibilitet nga ana e tij, tregon vendosmërinë dhe mirëkuptimin e tij se Kosova është plotësisht në rrugën e duhur dhe se kjo masë e rëndësishme administrative përfundimisht do të ndodhë, sepse arsyeja e shëndoshë na thotë se është një hap i domosdoshëm.
Radio Evropa e Lirë: Propozimi i BE-së në takimin e së hënës ishte që Kosova t’i pezullojë menjëherë fazat e mëtutjeshme lidhur me riregjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës dhe Serbia të pezullojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, përfshirë ato KM. Si e shihni qëndrimin e Kosovës duke e refuzuar këtë propozim, ndërkohë që Serbia u pajtua?
Nevenka Trump: BE-ja ka treguar durim të madh me palën serbe dhe nëse kujtoni se si ka shkuar dialogu i Brukselit deri në vitin 2013, shohim se çdo vendim i negociuar nga BE-ja përmes këtij dialogu të Brukselit, në fakt, e bëri Serbinë të pajtohej me gjithçka, por duke vazhduar kultivimin e sistemit paralel të administrimit të Kosovës, dhe, sigurisht, veriun e Kosovës.
Pra, kjo lloj qasjeje e dyfishtë nga komuniteti ndërkombëtar ka për qëllim gjithmonë ta mbajë Serbinë të përfshirë, për të mos e humbur nga negociatat. Por, këto lloje koncesionesh janë keqpërdorur nga Serbia, sepse ajo që shohim që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, e edhe para kësaj kohe… e vetmja konsistencë në qasjen e Serbisë është pengimi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
Dhe, e gjithë kjo politikë me hapa të vegjël pengesash është që Serbia të blejë kohë, duke llogaritur se, në një moment të caktuar në të ardhmen, të gjithë do t’i harrojnë vështirësitë e popullit të Kosovës për të arritur pavarësinë e saj dhe se komuniteti ndërkombëtar ndoshta do ta lejojë Serbinë të arrijë qëllimin e saj parësor.
Dhe ky është, çfarëdo që është, dhe duhet të jetë statusi i Kosovës, Serbia dëshiron së pari të sigurojë territorin e veriut të Kosovës dhe ta bashkojë atë pjesë me Serbinë. Kjo do të ishte më e pakta e lojërave të luftës nga Serbia, në luftërat që ajo vazhdimisht i ka humbur në vitet ’90.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë shihni si një zgjidhje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të veturave, në mënyrë që të shmangen konfliktet e mundshme?
Nevenka Tromp: Në negociatat dhe ndërmjetësimet mes Serbisë dhe Kosovës që nga viti 2000 e tutje, por edhe nga viti 1999, mund të shohim se ajo çka është arritur nga ana e Kosovës, është se pavarësia e saj është e pakthyeshme.
Dhe, ajo çka bashkësia ndërkombëtare me të drejtë po përpiqet të arrijë, është që t’i thotë Serbisë se çfarëdo çështjeje brenda territorit të Kosovës, qoftë për decentralizimin e pushtetit, qoftë për statusin e korpusit etnik serb, apo etnive të tjera, do të trajtohet vetëm pasi të ndërmerret ky hap madhor, që është njohja nga ana e Serbisë e statusit të Kosovës si shtet i pavarur.
Takimi i nivelit të lartë në dialogun Prishtinë-Beograd: Josep Borrell, Miroslav Lajçak, Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq, Bruksel, 21 nëntor 2022.
Ne shohim se çdo hap që ndërmerret – përfshirë targat e veturave të cilat absolutisht sipas logjikës dhe rregulloreve, ashtu siç na mësojnë dhe vendet e tjera, nuk mund të jenë dy sisteme paralele – tregon që Serbia po pengon atw çka përfundimisht do të jetë e nevojshme dhe e pashmangshme – pavarësia de-facto e Kosovës tashmë ka arritur në një fazë tjetër. Dhe, pse është në një fazë tjetër? Sepse për herë të parë që nga viti 2008, i gjithë komuniteti ndërkombëtar e kupton se nëse Serbia arrin ndarjen e Kosovës, Rusia mund ta përdorë këtë si precedent dhe, mbi të njëjtat parime, të pretendojë [kontrollin mbi] dy rajonet de-facto ukrainase të Luhanskut dhe Donjeckut.
Pra, mendoj se në anën e Kosovës nuk është vetëm sensi logjik, jo vetëm kuptimi juridik se si duhet të funksionojë një shtet, por për herë të parë në këtë histori të shkurtër të Kosovës si shtet i pavarur, realitetet politike janë në anën e saj.
Për ta përmbledhur, Serbia udhëhoqi tri luftëra kriminale, për të cilat ka pasur disa ose shumë vendime të shpallura në Tribunalin e Jugosllavisë, ICTY, dhe nga gjykatat lokale dhe ajo që [presidenti i Rusisë, Vladimir] Putini është duke bërë, është ajo që Serbia dështoi ta arrinte.
Mendoj se kjo është një pasqyrë shumë e rëndësishme në këtë pikë për Serbinë dhe për Putinin, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, që të kuptojë se të gjitha forcat e mundshme dhe vullneti i mirë politik duhet të përqendrohen në faktin se si të arrihet njohja efektive e Kosovës.
Njohja e Kosovës kontribuon si një pengesë shumë e rëndësishme për Rusinë e Putinit, në mënyrë që të ndalë çdo aneksim të paligjshëm të territoreve – siçpo bën qartazi Kremlini, duke kopjuar atë që Serbia u përpoq të bënte, por dështoi.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të ketë kjo situatë në një marrëveshje të mundur përfundimtare apo në propozimin që vjen nga Franca dhe Gjermania për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë?
Nevenka Tromp: Ajo që është e rëndësishme të shihet është se kemi parë edhe dialogun e Brukselit duke shkuar drejt fundit dhe pastaj kishim proceset e Berlinit. Iniciativa gjermane dhe franceze nuk është gjë tjetër përveç vazhdimësi e këtij procesi. Të gjitha janë shumë të rëndësishme sepse e mbajnë Kosovën si çështje politike jetike dhe të hapur në kontekstin e Bashkimit Evropian.
Por, çfarëdo që do të ndodhë në të ardhmen e afërt, afatmesme apo afatgjatë të Kosovës, në fakt është të kuptuarit nga Bashkimi Evropian se pavarësia e Kosovës nuk është e negociueshme, se Kosova si shtet i njohur duhet të lejohet të marrë pjesë në integrimin euroatlantik dhe mënyra për ta bërë këtë të mundur është të punojmë në këtë temë thelbësore, dhe kjo është që Serbia ta njohë Kosovën jashtë kufijve të saj.
Vetëm ky fakt do t’i lejojë pesë shtetet brenda Bashkimit Evropian që të rishqyrtojnë kundërshtimin dhe refuzimin e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Mendoj se Kosova, së pari, duhet të përfshihet në komunitetin e BE-së dhe çdo iniciativë që vjen nga dy shtetet e saj më të fuqishme, Franca dhe Gjermania, në këtë pikë është shumë e mirëpritur.
Por, kjo nuk duhet të zgjasë shumë dhe nuk duhet të jetë një proces i tillë që Serbia të merret seriozisht çdo herë e përsëri, ndërsa ajo tregon se nuk është realisht e interesuar për negociata që do t’u sillnin të dyja palëve rezultate të mira. Serbia i përdor ende këto negociata për të fituar kundër palës kosovare. Kjo është e gabuar dhe nuk duhet lejuar që Serbia ta bëjë këtë.
Radio Evropa e Lirë: Ambasadori gjerman në Kosovë tha se “është absurde të rrezikohet përshkallëzimi [i situatës] për shkak të targave”. A e shihni këtë si një çështje më të gjerë sesa vetëm “targat e makinave”?
Nevenka Tromp: Sigurisht. Targat e veturave janë një hap i vogël në këtë strategji, që janë hapa operacionalë nga Serbia për të zbatuar taktikat e pengesave, por strategji jashtëzakonisht e rëndësishme është pengimi i Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur në kufijtë e saj aktualë.
Jam shumë e befasuar, në fakt jo edhe aq e befasuar, që gjenerata e re e diplomatëve dhe politikanëve nuk mund ta kuptojë se sa ka zgjatur kjo periudhë e strategjisë së Serbisë, dhe se disa prej tyre po vijnë tani në gjithë këtë situatë duke zbuluar të gjithë problemin, sikur të ishte problem i kohëve të fundit.
Ankth dhe frikë mes qytetarëve në veri
“Le të shkruajnë çfarëdo në targa, por të na lënë të jetojmë”
Nuk është një problem i kohëve të fundit dhe ajo që Serbia po bën vazhdimisht, është gjetja e hapave të vegjël të pengimit në nivel operacional.
Taktika e saj është duke e zgjatur të gjithë procesin dhe duke krijuar ndërgjegjësim të ri për këtë çështje, por strategjia ka qenë gjithmonë e njëjtë, që nga dita e parë që Millosheviqi mori detyrën dhe në të gjitha regjimet e saj pasardhëse të Millosheviqit. Asnjë nga qeveritë e tyre, asnjë nga politikanët e tyre kryesorë – president ose kryeministër – kurrë nuk kanë mundur të dalin para publikut serb dhe të thonë ‘po, Kosova është shtet i pavarur dhe po, Serbia e njeh atë’.
Kjo është diçka që është konstante në politikën serbe dhe nuk e shoh të ndryshojë nëse nuk ushtrohet presion serioz i jashtëm ndaj Beogradit.
Radio Evropa e Lirë: Pas takimit të 21 nëntorit, opinioni në Kosovë duket i ndarë mes atyre që e shohin qasjen e BE-së si mbështetëse për Serbinë dhe atyre që e shohin kryeministrin Kurti si kundër politikave të BE-së. Si e shihni ju qëndrimin e BE-së në këtë situatë?
Nevenka Tromp: Ajo çfarë vlerësoj shumë nga kryeministri Kurti është që ai çdoherë ka treguar një respekt për BE-në dhe QUINT-in, pesë shtetet [SHBA, Italia, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar] që janë shumë të përfshira në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai, thjesht, ka treguar dhe ka thënë që jemi bashkëpunues, jemi në anën tuaj. Dhe, disa mund ta interpretojnë këtë si dobësi, por faktikisht unë e shoh si konsistencë dhe forcë, sepse kryeministri Kurti e di që në një pikë të caktuar, kjo është e vetmja rrugë përpara, sepse kjo masë administrative është vetëm një nga shumë që tani duhet të rikonfirmohet si e vlefshme për Kosovën si shtet.
Në të njëjtën kohë, unë i kuptoj ata që thonë kështu, sepse Serbia, e cila po sillet si palë penguese, merr shumë më tepër vëmendje nga ndërkombëtarët. Është si në familje, keni një djalë të mirë që bën gjithçka që është e nevojshme, bën gjithçka të mirë në shkollë dhe gjen një punë të mrekullueshme… thjesht, e merrni si të mirëqenë. Dhe, në anën tjetër, djali problematik, i cili bën probleme gjatë gjithë kohës. E gjithë vëmendja e gjithë familjes shkon te ky djalë problematik.
E dini që ne si njerëz sillemi saktësisht njësoj edhe në nivel publik.
Kështu që e shihni se kaq shumë vëmendje dhe energji është përqendruar në pjesëmarrjen e Serbisë, por, në një moment, komuniteti ndërkombëtar dhe sigurisht BE-ja do të dijë se cilat janë elementet shtrënguese dhe elementet e presionit për ta bërë Serbinë ta pranojë këtë situatë.
Dhe, kam frikë se në këtë pikë Bashkimi Evropian nuk ka asnjë mjet presioni. Se si po shkon dhe çfarë do të vijë vetëm nga pala evropiane, ende nuk është e qartë. Shpresa ime është që brenda QUINT-it, ku Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë po ashtu të përfshira dhe që formate më inovative të negociatave me Serbinë mund të vijnë. Por, vetëm nga BE-ja nuk shoh shumë mundësi për presion ndaj Serbisë./rel
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.